Please enter at least 3 characters.

Më në fund, një përparësi për mua!

Hannah Betts
Foto: Andrew Crowley

Nga: Hannah Betts / The Telegraph [titulli: Finally, an advantage to having big breasts]
Përkthimi: Telegrafi.com

Në një histori që bashkon sportin, fizikën dhe një dozë humori të kartolinave bregdetare, pak para Tour de France-it ka shpërthyer një polemikë pasi çiklistet janë akuzuar se zmadhojnë artificialisht gjoksin për të fituar përparësi aerodinamike.

Para provave të së martës, zyrtarët kontrolluan fizikisht garueset për mbushëse gjoksi, pasi u paralajmëruan se disa "pafytyrësi" përpara trupit nuk po shkonin aq shumë poshtë sa shkonin lart, lart e më lart.

Zmadhimi i reçipetave, ose “mbulesave të gjoksit”, nuk ka të bëjë me përparësinë psikologjike që sjell pamja me gjoks të bollshëm mbi biçikletë, por me rritjen e sipërfaqes së pjesës së sipërme të trupit për të ndikuar në rrjedhën e ajrit. Duke modeluar me kujdes mbushjen e gjoksit, pjesa e përparme e çiklistes bëhet më e rrumbullakët dhe më e lëmuar, duke krijuar një lloj mbulese që e drejton ajrin në mënyrë strategjike rreth trupit.

Ekspertët pohojnë se kjo mund ta shpejtojë kohën me 0.78 sekonda për kilometër. Në një segment prej 21 miljesh, kjo duhet të sigurojë një epërsi prej të paktën 16 sekondash.

Çfarë po ndodh me botën tonë të sportit? Ende pa u fashitur zemërimi për skandalin e “penis-gejtit” në Lojërat Olimpike Dimërore - kur garuesve iu ndalua të zmadhonin artificialisht organet e tyre gjenitale për të arritur rezultate më mbresëlënëse - ja ku shpallet një tjetër vatër e re e kampit të ekzagjerimit.

Situata duket sikur ka dalë drejtpërdrejt nga [komedia] 'Allo 'Allo, mbushur me gjyle galike, me trup ngacmues e goxha me mish. Mjafton vetëm një burrë me beretë të thërrasë: Oh là là, les gros lolos! [O Zot, gjoksa të mëdhenj!]

Megjithatë, për ato prej nesh që jemi nga kategoria e të bëshmeve, kjo harlisje e re e çiklizmit pas formave të mbushura mund të jetë vetëm një lajm i mirë. Më në fund, një përparësi e të pasurit një palë të mëdha, përveç asaj joie de vivre [kënaqësia e të jetuarit]

Sepse, nga pikëpamja biologjike, figura në formë sahati thuhet ende se ende mbizotëron. Përmasat e saj u përcaktuan nga psikologu Dr. Devendra Singh në Universitetin e Teksasit në vitin 1993. Për të krijuar atë që japonezet shtatlarta e quajnë me lakmi figurë bon-kyu-bon (e madhe-e vogël-e madhe), nevojitet një raport bel-iqe prej 0.7 (pra, perimetri i belit të jetë 70 për qind e perimetrit të ijëve), ndërsa qershia mbi tortë është gjoksi i bëshëm.

Efekti i një ekstravagance të tillë mund të jetë sizmik. Përshkrimi që Richard Burtoni i bëri takimit të tij të parë me Elizabeth Taylorin, të veshur me rroba banje, ishte famëkeq për tonin e tij rapsodik:

“Gjinjtë e saj ishin apokaliptikë; do të rrëzonin perandori para se të vyshkeshin. Në të vërtetë, trupi i saj ishte një mrekulli ndërtimi dhe vepër e një inxhinieri gjenial ... Nuk më vjen ndër mend asnjë fjalë tjetër që të përshkruajë një ndërthurje të tillë plotësie, kursimi, bollëku dhe shtrëngese. Ajo ishte e papërmbajtur. Ishte një bujari e errët dhe e papërkulshme. Shkurt, ishte tepër, dreqi e marrtë”.

E megjithatë, ekzistenca e një gruaje me gjoks të madh nuk ecën gjithmonë vaj, sepse vetë kjo ekzistencë është tepër, dreqi e marrtë. Vëmendja seksuale mund të jetë e këndshme në jetën private, por në publik rezulton shumë më pak e tillë.

Është e çuditshme se sa shpesh burrat që dalin para ndiejnë nevojën t'i bëjnë me dije një gruaje se ka gjoks - sapo të kalojë masën B - sikur prania e gjoksit disi t'i kishte dalë asaj nga mendja. Kontakti me sy zëvendësohet nga ngulja e syve te dekolteja, ndërsa fjalët që dalin nga goja e saj rrallëherë konsiderohen po aq elokuente sa ato që mban reçipeta.

Sigurisht, në sportet e tjera nuk ka asnjë përparësi, sepse gjoksi shihet si një pengesë biomekanike që duhet mbajtur nën kontroll me çdo kusht. Sa i përket botës së modës, ajo vazhdon të dominohet prej burrave homoseksualë që krijojnë prerje të drejta mbi letër, ndërsa gjoksi i madh konsiderohet i tepërt.

Një stilist dikur më vështroi lakuriq dhe belbëzoi: “Figurë në formë sahati”! - sikur të kishte shqiptuar fjalën “pedofile”. Ndërsa një rrobaqepëse më goditi lehtë në gjoks duke thënë: “Këta nuk janë Armani”!

Anojnë para, të dhembë shpina, gjinjtë e bollshëm mund të jenë barrë. Megjithatë, falë atyre mashtrueseve franceze të pajisura me mbushje, gjokset e mi të mëdhenj (gros nénés) mund të mos konsiderohen më të rëndomtë, por një poitrine de déesse - një gjoks i vërtetë perëndeshe. Allez, allez, allez! /Telegrafi/