Please enter at least 3 characters.

Ish-të burgosurat e keqtrajtuara ballafaqohen në gjykatë me serben, ish-gardiane

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca fillestare ndaj Nadica Cepkenoviq, e akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile, lidhur me keqtrajtimin sistematik të të burgosurave shqiptare gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998–1999.

Ish-e burgosura Jehona Krasniqi-Morina tha se ballafaqimi me të akuzuarën pas gati tri dekadash nuk i ka sjellë emocione pozitive, por ka rikthyer kujtimet e dhunës së vazhdueshme fizike dhe psikike që, sipas saj, ushtrohej ndaj të burgosurave që nga momenti i arrestimit e deri në lirimin e tyre.

Ajo theksoi se procesi gjyqësor përbën një pikë kthese për viktimat, duke vlerësuar se pas më shumë se dy dekadash po dërgohet një mesazh se drejtësia po përpiqet të trajtojë krimet e kryera. Krasniqi-Morina shtoi se dhuna në burgjet serbe mund të krahasohet me kampet e nazizmit dhe se përgjegjësia, sipas saj, nuk duhet të kufizohet vetëm te një person, por edhe te gardianet e tjera të përfshira.

Ndërkohë, ish-e burgosura tjetër, Mevlyde Saraçi, deklaroi se dhuna e përjetuar i ka lënë pasoja të rënda shëndetësore, përfshirë dëmtim të dëgjimit, duke e bërë të vështirë edhe ndjekjen e seancës gjyqësore. Ajo kërkoi dënim meritor për të akuzuarën dhe për gardianet e tjera që, sipas saj, kanë marrë pjesë në keqtrajtim.

“Sot për mua është një ditë fitoreje, sepse ajo ndodhet në pozitën ku kemi qenë ne dikur. Megjithatë, drejtësia duhet të jetë e plotë dhe e merituar”, tha Saraçi, duke përshkruar fyerjet, dhunën dhe poshtërimin që, sipas saj, janë ushtruar ndaj grave shqiptare të burgosura për shkak të përkatësisë kombëtare dhe mbështetjes për lirinë e Kosovës.

Nadica Cepkenoviq është deklaruar e pafajshme për aktakuzën e ngritur ndaj saj. Sipas Prokurorisë, ajo dyshohet se, në cilësinë e ish-gardianes në Burgun e Prishtinës – paralelja për femra në Lipjan, në bashkëkryerje me Ljiljana Seliq, Danica Lukiq, Sladjana Arsiq dhe Biljana Stoliq, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare duke keqtrajtuar në mënyrë sistematike të burgosurat shqiptare.

Në aktakuzë thuhet se viktimat janë torturuar në mënyrë çnjerëzore, përfshirë rrahje me mjete të forta, kërcënime serioze për jetë dhe ushtrim të vazhdueshëm të dhunës psikike, duke u shkaktuar pasoja të rënda fizike dhe emocionale, të cilat, sipas Prokurorisë, vazhdojnë t’i bartin edhe sot.KP/Telegrafi.