Please enter at least 3 characters.

Më i miri i Kosovës në ndeshjet kualifikuese, Florent Muslija e mbylli me gol spektakolar: Në mars vdesim në fushë për Botërorin

Florent Muslija ka qenë padyshim një nga lojtarët më të spikatur të Kosovës në gjashtë ndeshjet e kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.

Në ndeshjen e fundit, ai e përmbylli paraqitjen fantastike me një gol spektakolar në barazimin 1-1 ndaj Zvicrës në “Fadil Vokrri”, duke konfirmuar vendin e tij si një nga figurat kryesore të ekipit kombëtar.

Mesfushori 27-vjeçar ka qenë truri i ekipit të Kosovës gjatë gjithë këtyre kualifikimeve, duke bërë për mrekulli lidhjen mes mbrojtjes, mesfushës dhe sulmit, si dhe duke qenë lojtari që ka mbajtur ritmin dhe kreativitetin e skuadrës.

Në një intervistë për Telegrafin, Muslija foli për ciklin kualifikues, shortin e Play-Off-it dhe pritshmëritë që ka për skuadrën e tij në fazën vendimtare.

Ai u shpreh se Kosova ka arritur rezultate të jashtëzakonshme dhe ka treguar se është një kombëtare me cilësi të lartë, duke grumbulluar 11 pikë në një grup me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë.

“Mund të them se jemi shumë të kënaqur me atë që kemi treguar gjatë ciklit kualifikues. Të gjithë jemi të kënaqur me atë që kemi bërë në fushë,” tha Muslija, duke theksuar se skuadra ka treguar unitet, disiplinë dhe karakter të fortë gjatë gjithë këtyre ndeshjeve.

Kur u pyet se çfarë e bëri Kosovën kaq të fortë, ai nuk ngurroi të thoshte se është uria për sukses ajo që e ka shtyrë ekipin drejt rezultateve pozitive.

“Uria për të pasur sukses na ka bërë të kemi këso ndeshjesh. Kemi qenë të disiplinuar dhe kemi treguar shumë cilësi si skuadër. Në ekip ka shumë futbollistë cilësorë dhe kemi luajtur shumë mirë së bashku. Ky kombinim na çoi te suksesi", tha Muslija, duke theksuar rëndësinë e frymës ekipore dhe punës së përbashkët.

Muslija, i cili tashmë është kthyer në titullar të padiskutueshëm të Kosovës, shprehu kënaqësinë e tij për paraqitjet personale.

“Jam i kënaqur me paraqitjet që kam bërë me fanellën e Kombëtares. Kur kam besim dhe liri në fushë, mund të jap maksimumin tim dhe të kontribuoj në mënyrë vendimtare për skuadrën,” deklaroi ai, duke theksuar se roli i tij si lider në mesfushë ka qenë vendimtar për skuadrën.

Goli i tij ndaj Zvicrës ishte një moment i paharrueshëm jo vetëm për të, por edhe për tifozët e Kosovës. Muslija e përjetoi me emocion të madh shënimin para publikut vendas në Fadil Vokrri.

“E kam ndjerë se goli do të vinte dhe erdhi. Jam shumë i lumtur që shënova para tifozëve tanë të mrekullueshëm, të cilët nuk na kanë lënë asnjëherë vetëm. Kisha mundësi të shënoja edhe disa gola të tjerë në ndeshjet e kaluara, por ky është futbolli dhe ky moment do të mbahet mend", u shpreh ai për Telegrafin.

Kosova tashmë i ka njohur kundërshtarët e Play-Off-it për Kampionatin Botëror. Dardanët do ta nisë këtë fazë me një ndeshje gjysmëfinale ndaj Sllovakisë në udhëtim, ndërsa nëse kalojnë, në finale do të presin fituesin e duelit Turqi – Rumani.

Muslija tha se mbetet i kënaqur me shortin dhe e sheh atë si një mundësi të madhe për ekipin.

“Kam mbetur i kënaqur me shortin, edhe pse nuk ka kundërshtarë të lehtë. Besoj shumë në cilësinë që kemi si kombëtare dhe jam i sigurt se do të fitojmë ndaj Sllovakisë”, tha Muslija.

Megjithatë ai kishte një tjetër skuadër që preferonte. "Doja Çekinë, pasi ndaj tyre kam debutuar në Prishtinë dhe kemi fituar, gjithsesi nuk është keq edhe Sllovakia", shtoi mesfushori.

Në fund, mesfushori i Kosovës dërgoi një mesazh të fuqishëm për tifozët Dardanë, por edhe për gjithë bashkëlojtarët te ekipi kombëtar i Kosovës.

Anëtari i skuadrës gjermane Fortuna Dusseldof tha se do të vdesin në fushë për të arritur një sukses historik.

“Jemi të uritur për sukses. Në mars do të vdesim në fushë për të marrë fitore dhe për të shkuar në Botëror. Muaji mars është muaji i lavdisë në vendin tonë dhe tani ka ardhur koha që të shkruajmë një histori të re për Kosovën”, përfundoi Muslija.

Florent Muslija mbetet një nga figurat më të forta dhe më inspiruese të Kombëtares, duke u shndërruar në liderin që do të udhëheq Dardanët drejt një kapitulli historik. /Telegrafi/

true