Please enter at least 3 characters.

Më 23 qershor nis afati i dytë për regjistrim në shkollat e mesme në Maqedoninë e Veriut

Nxënësit që nuk arritën të regjistrohen në arsimin e mesëm gjatë afatit të parë të qershorit për vitin shkollor 2026/2027, do të kenë mundësi të aplikojnë në afatin e dytë, i cili do të mbahet më 23 qershor.

Aplikimi do të bëhet në mënyrë elektronike, ndërsa më 24 qershor kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm në shkollat ku kanë aplikuar.

Sipas afateve të përcaktuara në konkursin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, më 25 qershor deri në ora 12:00 shkollat duhet të publikojnë listat e renditjes me rezultatet e regjistrimit, në një vend publik në shkollë dhe/ose në faqen zyrtare të internetit.

Në rastet kur në listën e renditjes ka më shumë nxënës me numër të njëjtë pikësh, parashihet organizimi i testimit kualifikues. Për afatin e dytë të qershorit, ky testim do të mbahet më 29 qershor, ndërsa po atë ditë do të publikohen edhe listat përfundimtare me rezultatet, në tabelën e shpalljeve të shkollës dhe/ose në faqen e saj të internetit.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se për afatin e dytë të regjistrimit ka 11.882 vende të lira. Prej tyre, 7.404 vende janë për mësim në gjuhën maqedonase, 4.002 vende për mësim në gjuhën shqipe, 456 vende për mësim në gjuhën turke dhe 20 vende për mësim në gjuhën serbe.

Sipas të dhënave të ministrisë, në afatin e parë të regjistrimit në shkollat e mesme, i realizuar përmes aplikimit elektronik nga 12 deri më 15 qershor, ndërsa me dorëzimin e dokumenteve më 16 dhe 17 qershor, kanë aplikuar gjithsej 15.075 nxënës, prej të cilëve janë regjistruar 13.397.

Nga numri i përgjithshëm i të regjistruarve, 9.813 nxënës janë regjistruar në mësim në gjuhën maqedonase, 3.357 nxënës në gjuhën shqipe, 213 nxënës në gjuhën turke dhe 14 nxënës në gjuhën serbe.

Sipas llojit të arsimit, në afatin e parë janë regjistruar 3.010 nxënës në arsimin gjimnazor në gjuhën maqedonase, 1.165 nxënës në gjimnaz në gjuhën shqipe, 89 nxënës në gjimnaz në gjuhën turke dhe 14 nxënës në gjimnaz në gjuhën serbe.

Në arsimin profesional, në afatin e parë të qershorit janë regjistruar 6.653 nxënës në mësim në gjuhën maqedonase, 2.133 nxënës në gjuhën shqipe dhe 124 nxënës në gjuhën turke.

Ndërkohë, në arsimin artistik janë regjistruar 150 nxënës në drejtimin e artit muzikor në gjuhën maqedonase dhe 59 nxënës në drejtimin e artit muzikor në gjuhën shqipe. Për drejtimin e artit figurativ, procesi i përzgjedhjes ende është në vijim.

Ministria njofton gjithashtu se në afatin e parë është paraparë testim kualifikues në sektorin e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, për profilin teknik farmaceutik në gjuhën shqipe, në shkollën e mesme mjekësore “Dr. Pançe Karagjozov” në Shkup. Nxënësit do t’i nënshtrohen testimit më 22 qershor, me provim nga biologjia dhe kimia, në përputhje me programin mësimor të klasës së tetë dhe të nëntë.

Nga ana tjetër, Ministria ka bërë të ditur se në disa shkolla pas afatit të parë nuk kanë mbetur më vende të lira. Konkursi për regjistrim në arsimin gjimnazor në gjuhën maqedonase tashmë është mbyllur në gjimnazin “Josip Broz Tito” në Manastir, në gjimnazet e Shkupit “Georgi Dimitrov”, “Rade Jovçevski Korçagin” dhe “Nikolla Karev”, si dhe në shkollat e mesme “Metodi Mitevski Brico” në Dellçevë, “Naum Naumovski Borçe” në Probishtip dhe “Metodi Mitevski Brico” në Shkup.

Ministria ka publikuar informacione edhe për shkollat profesionale, përkatësisht për sektorët dhe kualifikimet ku konkursi tashmë është mbyllur dhe nuk do të pranohen aplikime në afatin e dytë të qershorit.