Mbyllet shkolla në fshatin Xhepin të Strugës për shkak të numrit të vogël të nxënësve
Pas 42 viteve, për herë të parë zilja e shkollës nuk do të bjerë në shkollën periferike në fshatin Xhepin të Strugës. Tre nxënësit e mbetur do të vazhdojnë të mësojnë në fshatin e afërt Koroshishtë. Gjendje e ngjashme është edhe në fshatin Poum, ku, në vend të zhurmës së fëmijëve, njëra nga shkollat më të vjetra në Strugë, e cila funksionon që nga viti 1942, do të ndërpresë punën.
Tre nxënësit nga këtu do të udhëtojnë deri në Dellogozhdë.
“Shkolla fillore “Rexhep Fejza” në fshatin Xhepin të Strugës, nga ky shtator do të mbyllet për shkak të rënies drastike të numrit të nxënësve. Kjo është vetëm njëra nga katër shkollat fillore periferike, dyerve të së cilave do t’u vihet dryni”, thotë gazetari.
Mbyllen edhe shkollat në fshatrat Bogoicë dhe Nerez. Drejtori i Shkollës Fillore Qendrore “Nuri Mazari” në Dollogozhdë, për Alsat, thotë se bëhet fjalë për proces të dhimbshëm dhe të vështirë.
“Normalisht, ky akt është moment emocional për banorët lokalë të fshatrave Xhepin dhe Poum, si dhe për të gjithë komunitetin, sepse të gjithë kanë nevojë të kenë shkollën e tyre. Megjithatë, konsiderojmë se është e domosdoshme të avancojmë cilësinë e arsimit, të mundësojmë socializim më të madh të nxënësve, si dhe të krijojmë kushte dhe mjedis sa më të mirë për nxënësit, ku ata mësojnë dhe punojnë së bashku me bashkëmoshatarët e tyre. Është normale që banorët lokalë ta përjetojnë këtë emocionalisht, por në të ardhmen do të kuptojnë se ky vendim vërtet ka vlerë”, deklaroi Kaim Dauti, drejtor i SHF Nuri Mazari – Dollogozhdë.
Situata po bëhet gjithnjë e më alarmante edhe në shkollat më të mëdha.
“Nëse krahasohemi me vitet e kaluara, përkatësisht me para pesë viteve, rënia është vërtet e madhe. Para pesë viteve, në nivel të të gjithë shkollës qendrore kishim rreth 550 nxënës, ndërsa tani numri është ulur në 345. Në shkollën në Koroshishtë aktualisht ka 130 nxënës, në shkollën në Livadhi ka 102 nxënës, ndërsa në Dellogozhdë kemi 145 nxënës”, theksoi Kaim Dauti, drejtor i SHF Nuri Mazari – Dellogozhdë.
Braktisja e fshatrave dhe shpërngulja jashtë vendit po lënë gjurmë edhe në këtë zonë. Nëse ky trend vazhdon, vitet e ardhshme fat të ngjashëm do të kenë edhe shkolla të tjera.
“Numri i nxënësve është zvogëluar shumë. Më parë ishte më mirë, kishte më shumë nxënës, por shpërngulja i mori nxënësit. Tani kemi shumë më pak nxënës dhe… nuk di çfarë tjetër të them. Situata vërtet është e tillë – numri i nxënësve është zvogëluar”, tha Edipe Sekiraça – banore e fshatit Livadhi.
“Numri i nxënësve është zvogëluar, ka më pak nxënës, duhet të gjendet zgjidhje. Po largohen jashtë vendit, kërkojnë një jetë më të mirë. Këtu nuk ka shumë para, shteti na detyron të largohemi”, thotë Shkelqim Asipi – i punësuar në shkollën në fshatin Livadhi.
Dauti thotë se asnjë mësimdhënës nuk do të mbetet pa punë. Një pjesë e tyre janë sistemuar në shkollën qendrore në Dollogozhdë, ndërsa të tjerët në shkollat periferike./Alsat.mk.


