Please enter at least 3 characters.

Mbijetesa e Sejdiut në krye të LDK-së, pengesë e zhvillimit të Kosovës

Është vështirë për të qëndruar indiferent karshi zhvillimeve politike mjaft dramatike në Kosovë gjatë këtyre disa javëve. Jo rastësisht protagonisti kryesor i këtyre ngjarjeve është bërë Fatmir Sejdiu. Meqë është kështu, mbase nuk është tepër të merremi edhe pakëz me të, dhe me gjasë të ekspozojmë disa çështje esenciale që lidhen me të qenit e tij në krye të politikës kosovare. Ç’është e vërteta, që nga momenti kur Sejdiu mori timonin e kreut të LDK-së në zgjedhjet të cilat rezultuan ndarjen e saj, ka munguar një elaborim serioz për pasojat që ardhja e tij në pushtet ka sjellë për LDK-në dhe Kosovën në tërësi. Kritikat që janë botuar nuk kanë qenë bindëse, kurse në përgjithësi analiza të themelta kanë munguar kryesisht për shkak të “koincidencës” së ardhjes së tij në pushtet me periudhën e negociatave dhe vendosjes së statusit të Kosovës.

Tashti është bërë më e qartë se kurrë që Sejdiu ka ardhur në pushtet për shkak të konjunkturave politike të brendshme, por mbi të gjitha me infuzionimet e jashtme ndërkombëtare. Këto infuzionime dukej të kenë ardhur, atëherë, si rezultat i një “borxhi” që prezenca ndërkombëtare të i kenë pasur Thaçit dhe partisë së tij për lojalitetin e tyre ndaj faktorit ndërkombëtar që atëherë kujdeseshin për “mbarëvajtjen” e proceseve politike dhe të ardhmen politike të Kosovës. Ndaj për të siguruar vazhdimin e papenguar të këtyre proceseve në periudhën post-Rugoviane, ardhja e Thaçit dhe partisë së tij në pushtet kanë qenë pothuajse të domosdoshme. Qeverisja e LDK-s po ashtu ka qenë një faktor ndihmës.

Parë nga ky këndvështrim, vdekja e Rugovës domosdoshmërish “është dashtë” të sillte në pushtet grupet politike (që rastisën me orientim ideologjik të majtë) të cilat nuk mundën ta shijojnë pushtetin për të gjallë të Rugovës. Kjo, jo pse e majta është në papajtim inherent me kosovarët, por pse bartësit implicit të së majtës në Kosovë kanë një histori të marrëdhënieve të çuditshme me të majtën e Enver Hoxhës dhe të pasuesve të saj madje dhe sot, gjë që në përgjithësi nuk simpatizohet në Kosovë. Mirëpo për shkak që këto grupime nuk kanë elektorat të mjaftueshëm në Kosovë, është dashtë të gjendet një entitet substancial që do të mundësonte këtë gjë. Sejdiu dhe grupimi i tij brenda LDK-së ishin të gatshëm për ta luajtur këtë rol. Kjo duhet të jetë edhe shkaku kryesor i ndarjes së LDK-së. Komentet tjera për ardhjen në pushtet të “koalicionit të panatyrshëm”, tashti të posa-shkurorëzuar, bëhen të panevojshme.

Mirëpo, një gjë na dhemb të gjithëve, brenda dhe jashtë Kosovës: ky establishment politik gjatë kësaj kohe të qëndrimit të tij në pushtet ka ndërtua një filozofi të keqe veprimi në Kosovë, dhe një të ashtuquajtur “konkurrencë negative”. Kjo sepse katapultimi i Sejdiut dhe i Thaçit në krye të politikës në Kosovë disi është përcjellë edhe me asfiksimin e një mase të konsiderueshme kritike intelektuale. Disa zëra të fuqishëm intelektual qe ekzistonin në LDK, por edhe jashtë saj, disi u bënë shumë anemik. Ne vend të kësaj në Kosovë zuri vend një “konkurrencë negative” që është antipod i sistemit të vlerave.

Po të analizohen në retrospektivë ngjarjet e periudhës së paravendosjes së statusit të Kosovës (periudhës së Ahtisaarit), Kosova ishte në një “anarki intelektuale”. Në ndërkohë pesha e LDK-së në skenën politike u margjinalizua përtej mase. Ky margjinalizim do të vazhdonte edhe më tej po të mos ishte krediti i dy apo tre figurave më të mëdha në këtë parti si Sabri Hamiti, Isa Mustafa e ndonjë tjetër, të cilët herë pas herë e kanë mbajtur gjallë frymën e LDK-së, sidomos me fitoren e Isa Mustafës për kryetar të Prishtinës.

Mirëpo në përgjithësi popullata e Kosovës për një kohë të gjatë ka qenë tejet e pakënaqur me ecurinë e zhvillimeve politike, ekonomike dhe perspektiven e saj. Refreni “në Kosove s’ ka asgjë”, është treguesi më i mirë që njerëzit e kanë humbur besimin në kapacitetin dhe vullnetin e këtij estabilshmenti në përmirësimin e jetës në Kosovë.

Vendimi i Gj. Kushtetuese (në një kohë të çuditshme) që e “detyroi” ish kryetarin Sejdiu të jap dorëheqje në njërin nga postet e tij, domosdoshmërisht dinamizoi proceset brenda LDK-së dhe hapi perspektivën për zgjedhje të parakohshme/jashtëzakonshme. Mirëpo, Sejdiu dhe Thaçi duket të kenë bërë kalkulimet (e ndoshta edhe pazaret) me kohë dhe zhvillimet janë mjaft të predikueshme për përfundime qe ju leverdisin këtyre dy palëve. Mospajtimi i këtyre dy partive rreth privatizimit të PTK-së duket te jetë një pretekst ë mirë (sipas tyre) për të prishur koalicionin.

Tashti LDK-ja e mbajtur peng nga Sejdiu për një kohë të gjatë ndodhet përball vullnetit në rritje (por jo të mjaftueshëm) për reforma, dhe mobilizimit të Sejdiut duke përdorur strukturat e vjetra dhe mediokre për të legjitimuar veten edhe për një mandat. Prandaj, sot beteja për postin e kryetarit të LDK-së është betejë për Kosovën, dhe kjo mbase duhet të i sensibilizoj edhe ata që për interesa individuale kanë vazhduar të heshtin deri sot. Sepse rënia e Sejdiut është shpresë për Kosovën, sepse rënia e tij pothuajse siguron dekonstruktimin apo fillimin e dekonsruktimit te sistemi të jo vlerave dhe fillimin e rënies së “konkurrencës negative”, dhe nga ky rrafsh duhet të filloj çdo gjë pozitive në Kosovë.

Meqë prezenca ndërkombëtare legjitimisht “duhet” të përzihet në punët e politikës kosovare, mbetet të shpresohet se ata nuk do të konspirojnë edhe për një koalicion me struktura të njëjta apo qoftë edhe me ndryshime simbolike pas-zgjedhore. Por për të evituar një gjë të tillë duhet realizuar rënien e Sejdiut, dhe ngritjen e LDK-së. Sensibilizimi në rritje i opinionit publik kosovar jep shpresa, ndërsa dinamizimi brenda LDK-së duket se më në fund do të mundë të rezultojë me disa befasi të mira. Mundë të duket tepër ambicioze, por shfaqja e Ukë Rugovës në politiken kosovare duket të jetë një shkëndi shpëtimtare për Kosovën ani pse jemi në rrethana te paqes.

Për shkak të fuqisë simbolike që bart Ukë Rugova, në ketë moment mundë ta definoj fatin e LDK-së dhe të Kosovës dhe kjo duhet shfrytëzuar. Rreshtimi i tij krah Bukoshit duhet të ketë vënë në siklet edhe dy figurat më të mëdha të LDK-së së mbetur - Isa Mustafën dhe Sabri Hamitin. Heshtja e këtyre të dyve, nga tash e tutje mund të ketë pasoja fatale për LDK-në dhe Kosovën. Sepse në rast të mbijetesës së Sejdiut, rrudhja e mëtejme e LDK-së duket e paevitueshme, kurse largimi i tij pothuajse siguron ngritjen e saj e madje edhe ndoshta kthimin e LDD-s apo koalicionin e mundshëm të të dyjave. Andaj, të dy këta duhet të marrin përgjegjësitë e veta në këto momente shumë delikate në të cilat LDK-ja ndodhet.

Ndoshta ka ardhur koha që balanca e forcave të grupit të Sejdiut/Kryeziut të zëvendësohet me një aleancë të re p.sh. Isa Mustafa e Bujar Bukoshi, me Sabri Hamitin e Uke Rugovën si mbajtës të balancës së re. Kjo do të mund të i siguronte një te ardhme më të ndritur LDK-së dhe Kosovës. Ndërsa Fatmir Sejdiut duhet të i sigurohet një largim dinjitoz për aq sa mundë të ketë ai një të tillë. Prandaj lufta për një rend të ri vlerash në LDK bëhet duke krijuar hapësirë një establishmenti të ri, dhe kjo duhet të jetë beteja kryesore sot. Kjo, pastaj bëhet garanca më e mirë për zgjerimin e këtij sistemi vlerash në tërë Kosovën.

(Autori është kandidat për doktoraturë në Universitetin e Londrës me temë “Roli i Ibrahim Rugovës në krijimin e Identitetit Politik të Kosovës)