Mbi 200 garues synojnë trofe në Turneu Mbarëkombëtar të Karatesë
Ky turne, i 15-ti më radhë, organizohet nga Federata e Karatesë së Kosovës (FKK).
Garues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës, e Mali i Zi, janë pjesë të këtij turne, e që vjen vetëm pak ditë kur Federata Karatesë së Kosovës, pritet të pranohet në Federatën Ndërkombëtare të Karatesë.
Nënkryetari i Federatës së Karatesë së Kosovës (FKK), Nazmi Iberdemaj, i ka thënë KosovaPress-it se është i kënaqur me pjesëmarrjen e garuesve. Ai thotë se në këtë turne janë të përfshirë garues nga gjitha trevat shqiptare.
“Pjesëmarrja është e kënaqshme. Ky është turneu i 15-të Mbarëkombëtar që mbahet në vazhdimësi në organizim të Federatës së Karatesë së Kosovës, Federatës Shqiptarë dhe Akademisë Shqiptare të Karatesë së Maqedonisë, e kohë pas kohë janë edhe shqiptarët e Malit të Zi, pra janë të përfshirë gjitha trevat shqiptare, duke përjashtuar Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin si organizator, por ata janë prezent këtu në çdo turne mbarëkombëtar”, ka thënë Iberdemaj.
Ai mendon se konkurrenca do të jetë fortë në këtë turne, sepse sipas tij, garues të nivelit të lartë janë pjesë të kësaj ngjarje të madh të karatesë.
“Konkurrenca dita ditës po shtohet duke pasur parasysh se karateja kosovare është në hovë, është në zhvillim e sipër, garuesit e saj që përmes Federatës Shqiptare garojnë edhe në Federatën Botërore, e ku shpresojmë se edhe ne shumë shpjet do të jemi anëtar të Federatës Botërore që të arrijmë rezultatet të kënaqshme, ku dihet se Elvin Karaçi është kampion evropian në kategorinë e Juniorëve, Herolind Nishevci ishte i pesë të Kampionatin Botëror, e ka shumë të tjerë vajza e djem që bëjnë që sot konkurrencën te fortë”, tha Iberdemaj.
Ndërkohë, i ri nga Shqipëria, Abdurrahim Idrizi, ka thënë se në këtë turne ka ardhur për të fituar medalje. Ai është i vetëdijshëm se konkurrenca është e fortë, por talenti nga Shqipëria beson se do të fitoj trofe në këtë turne prestigjioz.
“Për ketë turne jam përgatitur shumë dhe besoj se do të marr vendin e parë. konkurrenca është e fortë”, tha Idrizi.
Ndryshe, edhe garuesit tjerë synojnë që në këtë turne të fitojë trofe, turne ky që është një nga më të mëdhenj në vendin tonë. /KP/Telegrafi/


