Mbappe shpërthen me het-trik, Real Madridi turpëron Real Sociedadin
Real Madridi ka regjistruar një fitore bindëse 4-1 ndaj Real Sociedadit, në ndeshjen e mbetur nga java e parë, ku protagonist absolut ishte Kylian Mbappé, i cili realizoi het-trik.
Francezi e nisi spektaklin në minutën e 40-të, kur pas asistimit të Federico Valverdes u tregua i qetë në zonë dhe realizoi për 1-0.
Real Sociedad reagoi shpejt dhe barazoi në minutën e 44-t, me Luka Suçiç që përfitoi nga rrëmuja në zonë dhe shënoi për 1-1.
Në pjesën e dytë, madrilenët morën kontrollin e plotë të ndeshjes. Në minutën e 60-të, Mbappé shënoi edhe golin e dytë, pas një asistimi të bukur nga Jude Bellingham, duke rikthyer avantazhin e Realit.
Vetëm tetë minuta më vonë, radha ishte e Vinicius Junior, i cili pas një pasimi nga Bellingham depërtoi në zonë dhe realizoi për 3-1.
Në minutën e 80-të, Vinicius këtë herë u shndërrua në asistues, duke i dhënë topin Mbappés, i cili kompletoi het-trikun dhe çoi rezultatin në 4-1.
Real Madridi shënoi edhe një herë në minutat shtesë përmes Brahim Diaz, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për pozicion jashtë loje.
Kështu, Real Madridi triumfoi 4-1, me Mbappén në qendër të vëmendjes pas një paraqitjeje spektakolare, ndërsa tani pas dy xhiros, mbretërit kanë 6 pikë. /Telegrafi/


