Mbajtja e takimeve konsultative në ndërtesën e Qeverisë, Cakolli: Takimet e tilla duhet të mbahen në seli partie, e jo në hapësira shtetërore
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) i ka nisur diskutimet konsultative me partitë politike për formimin e qeverisë në ndërtesën e Qeverisë.
Në lidhje me vendin e këtyre takimeve ka reaguar Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili tha se nuk është në rregull dhe as s’duhet të normalizohet që takimet “konsultative” për formimin e qeverisë së re të mbahen në ndërtesën e Qeverisë – e aq më pak që për to të lëshojë njoftim Zyra e Kryeministrit.
Cakolli përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka thënë se Kurti nuk ka ende mandatim zyrtar për formimin e qeverisë, për siç tha “e qeveria aktuale është ‘në detyrë’ “.
“Kjo nuk është çështje teknike, por një praktikë që zbeh kufirin mes shtetit dhe partisë, dhe që tregon shumë për mënyrën si konceptohet pushteti”, tha ai.
Tutje Cakolli theksoi se një subjekt politik që synon të qeverisë vendin duhet të tregojë standarde më të larta – jo të shfrytëzojë hapësirat e shtetit për interesa të veta.
“Prandaj, takimet konsultative për formimin e qeverisë duhet të mbahen në seli partie ose në ambiente neutrale, e kurrsesi në zyra publike që u përkasin të gjithë qytetarëve”, tha ndër të tjera Cakolli.
Ndryshe, caktimi i 15 prillit si datë për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, ka nxitur kryetarin e LVV-së, Albin Kurti që të nis diskutimet për formimin e qeverisë.
Këto diskutime Kurti po i kryen me partitë politike nga pakicat në zyrën e kryeministrisë. /Telegrafi/


