Please enter at least 3 characters.

Maroku përmbys Haitin në një spektakël me gjashtë gola dhe siguron fitore të rëndësishme

Maroku ka regjistruar një fitore të rëndësishme dhe spektakolare ndaj Haitit me rezultat 4-2, në një ndeshje që dhuroi plot emocione, gola të bukur dhe kthesa të shumta në rezultat.

Haiti e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte dhe kaloi në epërsi që në minutën e 10-të. Pas një aksioni të shpejtë, Duverne dërgoi një top të ulët në zonë, ndërsa Joseph realizoi me një prekje elegante me thembër për rezultatin 1-0.

Marokenët u hodhën menjëherë në sulm, por u përballën me një portier të jashtëzakonshëm. Alexandre Placide ishte heroi i Haitit në minutën e 30-të, kur ndali fillimisht një goditje të Achraf Hakimit dhe më pas një tjetër tentativë të Bilal El Khannouss.

Presioni i Marokut dha rezultat në minutën e 40-të. El Khannouss provoi nga një kënd i vështirë, Placide bëri edhe një pritje të shkëlqyer, por Hakimi reagoi më shpejt se të gjithë dhe e dërgoi topin në rrjetë për 1-1.

Megjithatë, gëzimi i marokenëve zgjati vetëm tre minuta. Isidor realizoi një supergol nga rreth 30 metra, duke e rikthyer Haitin në avantazh me një goditje të pandalshme për rezultatin 2-1.


Pjesa e parë nuk përfundoi me kaq. Në minutën e 45-të, Hakimi asistoi për Ismail Saibarin, i cili me një goditje të saktë nga skaji i zonës barazoi rezultatin në 2-2.

Edhe në pjesën e dytë, Placide vazhdoi të shkëlqente me pritjet e tij, por Maroku më në fund gjeti golin e përmbysjes në minutën e 78-të. Pas një aksioni të rrëmujshëm në zonë, topi përfundoi te Rahimi, i cili gjeti hapësirën për të goditur dhe shënoi për 3-2.

Fitorja e marokenëve u vulos në minutën e 89-të. Pas një aksioni të diskutueshëm, Yassine dërgoi topin në portën e zbrazët. Goli u rishikua nga VAR-i dhe më pas u konfirmua, duke i dhënë Marokut epërsinë 4-2.

Në minutat shtesë, portieri maroken Bono u bë protagonist me një pritje të shkëlqyer pas një goditjeje dënimi të rrezikshme, duke mos lejuar që Haiti të rikthehej në lojë.

Me këtë fitore, Maroku merr tre pikë të vlefshme pas një ndeshjeje spektakolare, ndërsa Haiti largohet me kokën lart pas një paraqitjeje mjaft të mirë përballë favoritëve. /Telegrafi