Marojeviq nuk e respektoi Himnin Kombëtar
Pas ndeshjes me Bashkimin, Marojeviq u lirua nga pejanët për të transferuar Jozo Brkiq. Marojeviq, nuk ishte shumë i dashur as për publikun pejan e në veçanti për tifozët ‘Shqiponjat’, të cilët ishin mjaft të irrituar me sjelljet e këtij të fundit.
Krejt kjo ndodhi në ndeshjen ndërmjet Vëllaznimit dhe Pejës, madje para se të fillonte loja. Teksa këndohej himni kombëtar, Marojeviq nuk i kushtuar vëmendje duke mos e respektuar himnin duke shkaktuar nervozizëm të madh te tifozët ‘Shqiponjat’.
Kryetari i tifozëve të ‘Shqiponjave’ Nermin Ferizi, thotë se e ka parë këtë gjest të malazezit. “Në ndeshjen ndaj Vëllaznimit, gjatë këndimit të himnit kombëtarë, ai ishte i papërqendruar duke mos e respektuar fare Himnin Kombëtar madje këtij të fundit i është tërhequr vëmendja dy herë radhazi nga Drilon Hajrizi”, u shpreh fillimisht Ferizi për Arenën.
Ndryshe, ai thotë se kanë pritur që edhe një ndeshje të shohin a do të ndodhte e njëjta gjë për të marrë masa më pas për lojtarin në fjalë. “Kemi pritur edhe një ndeshje për të shikuar nëse kjo ishte e qëllimshme apo nuk e kishte kuptuar. Po të ndodhte kjo sërish ne do të kishim kërkuar nga kryesia të largohej lojtari, pasi nuk ka respektuar himnin”, përfundoi udhëheqësi Ferizit.
Të kujtojmë që Radomir Marojeviq, u largua nga pejanët pas paraqitjeve të cilat kishte në fanellën e Pejës, duke u zëvendësuar menjëherë nga Jozo Berkiq. /Telegrafi/


