Please enter at least 3 characters.

Maqedoni, 15 mijë nxënës të regjistruar në shkollat e mesme, më shumë se 9 mijë vende mbeten të lira

banka shkolla
banka shkolla
banka shkolla

Në dy afatet e regjistrimit për vitin shkollor 2026/2027, në shkollat e mesme publike në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 15.705 nxënës, ndërsa mbi 9.000 vende të parashikuara nga konkursi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës kanë mbetur ende të lira.

Sipas të dhënave zyrtare, në afatin e parë të regjistrimit u regjistruan 13.423 nxënës, ndërsa në afatin e dytë edhe 2.927 të tjerë.
Nga numri i përgjithshëm i të regjistruarve, 11.171 nxënës do ta ndjekin mësimin në gjuhën maqedonase, 4.241 në gjuhën shqipe, 279 në gjuhën turke dhe 14 në gjuhën serbe.

Pjesa më e madhe e semimaturantëve kanë zgjedhur arsimin profesional. Gjithsej 10.823 nxënës janë regjistruar në shkollat profesionale, 4.653 në gjimnaze, ndërsa 229 në Akademinë e Sportit.

Për nxënësit që kanë paraqitur dokumentacion në afatin e dytë dhe ku ka më shumë kandidatë se vende të lira, testi klasifikues do të mbahet më 29 qershor, ditë kur do të publikohen edhe rezultatet.

Konkursi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës këtë vit parashihte mbi 25.000 vende të lira në 109 shkolla të mesme publike në vend. Prej tyre, mbi 17.000 vende ishin të dedikuara për arsimin profesional, rreth 6.000 për gjimnazet dhe 570 vende për arsimin artistik.