Please enter at least 3 characters.

Man Utd mund ta shesë Andre Onanan tek ish-klubi i tij

Portieri i Manchester United, Andre Onana, mund të bëjë një rikthim sensacional te klubi i tij i mëparshëm, Inter, gjatë afatit kalimtar të verës 2026, sipas një raportimi të ri.

Onana aktualisht ndodhet me huazim te Trabzonspor, por nuk pritet të qëndrojë te skuadra turke pas përfundimit të sezonit, ndaj lojtari po përpiqet të gjejë skuadra të tjera.

Onana u transferua te United në 2023 me shumë bujë. I nënshkruar nga trajneri i tij i mëparshëm te Ajax, Erik Ten Hag, ai sapo kishte dhënë një paraqitje të shkëlqyer për Inter në humbjen e tyre në finale të Ligës së Kampionëve ndaj Manchester Cityt, duke bërë disa pritje kyçe dhe duke dalë nga mbrojtja me qetësi të jashtëzakonshme.

Megjithatë, dy sezonet e kamerunasit si portieri i parë te Old Trafford u karakterizuan nga gabime të dukshme dhe të kushtueshme.

United vendosi të blejë portierin e Royal Antwerp, Senne Lammens, gjatë fazës së fundit të afatit të verës 2025, duke i hapur rrugën largimit të Onanës.

Edhe pse fillimisht ishte i paqartë për t’u bashkuar me Trabzonsporin, ai më në fund nënshkroi për ta me huazim për sezonin 2025/2026. Onana konsiderohet gjerësisht si një nga transferimet më të këqija në historinë e United, pasi klubi pagoi 47 milionë funte për ta sjellë nga Inter.

Sipas Daily Mail, Onana nuk ka mbyllur plotësisht derën për rikthim te United, por megjithatë po planifikon një të ardhme larg Manchesterit.

Përfaqësuesit e tij udhëtuan këtë javë drejt Milanit për të biseduar me klube të interesuara, ndërsa Interi mund të jetë një destinacion i mundshëm.

Kampioni i Serie A është në kërkim të një pasardhësi për portierin aktual Yann Sommer. Gjithashtu, portieri i Tottenham, Guglielmo Vicario, është përmendur si një tjetër emër i lidhur me një transferim në “San Siro”./Telegrafi/