Please enter at least 3 characters.

Mahnitëse: Artisti, veprat e të cilit humbën në rrënojat e Kosovës, po shkëlqen në Nova Scotia

2016/01/mahnit-euml-se-artisti-veprat-e-t-euml-cilit-humb-euml-n-rr-euml-nojat-e-kosov-euml-s-po-shk-euml-lqen-n-euml-nova-scotia_hd.jpg

Artisti i mirënjohur Zeqirja Rexhepi, që ishte dizajneri kryesor i prodhuesit të dytë të tekstilit në Evropë, bashkë me familje - përfshirë gjashtë fëmijë të moshës 8-18 vjeçare, gjyshërit dhe kushërinjtë e tyre - u detyrua nga serbët të ikte nga shtëpia e tij Kosovë, më 1999.

Më vonë kuptoi se shtëpia e tyre ishte një nga të shumtat të shkatërruara në Përlepnicë të Gjilanit, dhe se pikturat e tij u zhdukën përgjithmonë: të djegura apo të shqyera. Përjashtim bënte një pikturë që iu u vodh në një ekspozitë. Ishte punim me vlerë sentimentale: dhuratë martese për gruan e tij Bedrije. Ai tash dëgjoi se kjo pikturë mbijetoi dhe se do t’i kthehet.

Në Halifax Club ka fotografi të punës së Rexhepit në Kosovë, afreske të bukura e të detajuara në kupolat e brendshme të kishave dhe xhamive. Aty shihen edhe muralet që i ka bërë, që prej arritjes së tij në Kanada.

"Kam ardhur nga dhuna e luftës dhe e gjeta paqen këtu”, thotë Rexhepi, i njohur si Zack.

Janë 50 piktura të ekspozitës Rilindja, në akrilik, teknika të përziera dhe ngjyra vaji, që i ka bërë kur arriti para 15 vitesh. Ekspozita është e lirë dhe e hapur për publikun, dhuratë e tij për vendin ku ai dhe familja e tij kanë lulëzuar.

Familja e tij tani jeton në Clayton Park West.

Kur ai arriti në Nova Scotia, nuk e dinte nëse do të mund të punonte sërish si artist. Por, në korrik 1999, muzikanti i trajnuar për klasikë, fitoi punën e parë si violinist. Prandaj, violinat gjenden tek pikturat e tij, përfshirë Violinën e Shkatërruar, akrilik në kanavacë (1999), në të cilin duart fantazma përpiqen të mbajnë violinën, gjë që përfaqëson luftën me luftën.

"Duart janë duke u përpjekur për t’u mbajtur për kulture. Kjo ishte puna e parë që bëra kur unë u vendosa këtu. E kisha humbur violinën time, por jo kulturën time”, thotë ai.

Disa nga pikturat e tij janë bërë pas 11 shtatorit 2001.

"Ndërtesat rriten si një lule. Ato tregojnë se askush nuk mund të të shkatërrojë”, shpjegon ai.

Punimet tjera kanë të bëjnë me historinë e lashtë ilire, e deri te pikturat me kafshët. Ato më të fundit, të këtij viti, tregojnë vendimin e tij për të lënë duhanin pas 50 vitesh. Ai përdori një gamë me ngjyra të ndritshme, për të pasqyruar shkëlqimin në jetën e tij, pasi ndaloi pirjen e duhanit, “që ishte gjë e mirë për mua, fëmijët e mi dhe shoqërinë”.

Disa nga veprat më të hershme janë më realiste, ndërsa ato të fundit më abstrakte.

Rexhepi, i cili shpesh punon në ngjyra të shkëlqyera, është anëtar i shumë shoqatave të artistëve të Kanadasë. Profesori i arteve të bukura në Kosovë, ka ligjëruar pikturë përmes departamentit rekreativ të komunës rajonale Halifax dhe tani mëson privatisht.

Ai gjithashtu ka punuar për katër vjet si artist skenik për filma dhe shfaqje televizive, si Lexx dhe Made in Canada.

Arta Rexhepi-Abazi (27), që ka studiuar gazetarinë televizive dhe është angazhuar në CBS, thotë se ndonëse lufta të merr gjithçka, ajo mësoi nga prindërit se duhet të ketë shpresë.

“Kanada bëri shumë për ne. I dha mundësi babait të pikturojë sërish”, thotë ajo. “Çdo pjesë e pikturuar ka paraqitje të shpresës”. /Telegrafi/