LUTJE DASHURIE
Giuseppe Conte
Poezi nga: Giuseppe Conte
Përktheu: Anton Papleka
Oh, Dashuri, rri pranë meje.
Rri këtu me mua, e zhdërvjellët, e artë
Si një mace që fle në shportën e saj.
Të lutem, le të mplakemi së bashku,
Edhe pse e di se Koha ikën veç për mua
Dhe se lutja ime është e kotë.
Mos ikë, mos më lër vetëm.
Ti që aq shpesh në kohën që zgjohesha
Më ke ndezur dëshirën për të kënduar dhe po aq shumë
Më ke falur gëzimin e pakuptimtë nga të qenët gjallë
Ti, farë, rreze, vesë e çdo nate,
Ti gjethnajë e gjelbër e ullirit,
Degë bajameje në mars,
Musht që mbetet
Në tinarin e rrushit.
Ashtu siç flenë kandrrat parahistorike
Në një sumbull qelibari të ndritshme,
Ti mbetsh tek unë, Dashuri, plotësisht e dukshme,
Fle dhe ëndërron në trupin tim.
Mugull me lule të rrëzuara dhe të riçelura
Në gjumë dhe pastaj ti ëndërron sërishmi.
Ti, farë, rreze, vesë e çdo agullimi.


