Please enter at least 3 characters.

Liverpool shpërthen ndaj Juventusit për Alissonin – çfarë po ndodh në prapaskena?

Raportimet nga Italia bëjnë të ditur se Liverpooli është i irrituar me Juventusin, pasi klubi italian po përpiqet të sigurojë shërbimet e portierit Alisson Becker me një çmim sa më të ulët përpara afatit kalimtar veror.

Juventusi synon të rindërtojë repartin e portës dhe ka vënë në shënjestër portierin brazilian, i cili njihet mirë nga trajneri Luciano Spalletti që nga koha kur të dy ishin te Roma. Sipas raportimeve të fundit, Alisson thuhet se ka dhënë “dritën jeshile” për një transferim në Torino pas përfundimit të sezonit 2025/26.

Megjithatë, Liverpooli nuk është i gatshëm ta lërë të largohet lehtë. Portieri 33-vjeçar ka kontratë deri në verën e vitit 2027, pasi klubi anglez ka aktivizuar një klauzolë zgjatjeje 12-mujore.

“Reds” tashmë kanë menduar edhe për zëvendësimin e tij, pasi kanë siguruar Giorgi Mamardashvilin, i cili u transferua nga Valencia dhe iu bashkua skuadrës në verën e vitit 2025.

Liverpooli pritet të kërkojë rreth 15 milionë euro për Alissonin, duke marrë parasysh moshën e tij dhe faktin që po hyn në vitin e fundit të kontratës. Por, sipas “Calciomercato”, Juventusi po përpiqet ta ulë këtë shumë, madje në disa skenarë synon ta eliminojë fare tarifën e transferimit, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi në “Anfield”.

Në rast se negociatat për Alissonin dështojnë, Juventusi mund të kthejë vëmendjen te një alternativë më ekonomike si David De Gea, aktualisht te Fiorentina dhe ish-portier i Manchester United./Telegrafi/