Please enter at least 3 characters.

Ligjvënësit amerikanë i kërkojnë Trumpit të rikthejë sanksionet ndaj Dodikut

Një grup dypartiak i ligjvënësve amerikanë i ka kërkuar administratës së presidentit amerikan, Donald Trumpit të rikthejë sanksionet ndaj zyrtarëve të Republikës Srpska, të cilat ishin hequr në tetor të vitit 2025.

Kërkesa erdhi pas nisjes së marrjes në pyetje të bashkëpunëtorëve të Qendrës Përkujtimore të Potoçarit, të cilët kishin punuar në një raport për mohimin e gjenocidit.

Ligjvënësit amerikanë shprehën shqetësim për thirrjen në pyetje të punonjësve dhe bashkëpunëtorëve të Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës, raporton klix.ba.

Ata kërkuan zbatimin e ligjit amerikan të mbrojtjes, i cili parashikon sanksione ndaj personave që kërcënojnë sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial në Ballkanin Perëndimor.

Kërkesën e mbështetën senatorë dhe kongresmenë me ndikim nga të dyja partitë, përfshirë Jeanne Shaheen, Roger Wicker, Chuck Grassley, Dick Durbin, Bill Keating dhe Mike Turner. Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit ende nuk kanë dhënë koment zyrtar për këtë çështje.

Sipas raportimeve, marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Banjallukës kanë kaluar ndryshime të mëdha. SHBA-ja më herët hoqi sanksionet ndaj Milorad Dodikut dhe bashkëpunëtorëve të tij, ndërsa autoritetet e Republikës Srpska kanë rritur aktivitetet e lobimit në Uashington.

Ish-zyrtari i administratës Biden, Jim O’Brien, kritikoi qasjen aktuale të SHBA-së ndaj Ballkanit, duke thënë se afrimi politik me autoritetet e RS-së rrezikon të minimizojë kujtesën për dhunën e luftës dhe gjenocidin në Srebrenicë.

Përveç çështjes së sanksioneve, ka pasiguri edhe rreth emërimit të përfaqësuesit të ri të lartë në Bosnje dhe Hercegovinë. Analistët paralajmërojnë se paqëndrueshmëria politike mund të ndikojë edhe në projekte të rëndësishme ekonomike dhe investime strategjike amerikane në rajon. /Telegrafi/