Letër e hapur këshilltarëve komunalë të Shtërpcës
Si qytetar që kam votuar për ju kërkoj që ta mbroni votën time dhe ajo të mos më përdhoset si në 2007-tën, atëherë kur edhe unë si mijëra qytetarë tjerë votova, por vota ime fatkeqësisht u përdhos
Të nderuar këshilltarë të ardhshëm të Kuvendit të Shtërpcës, duke pasur parasysh se keni dhënë premtimin tuaj dhe në bazë të këtij premtimi keni marrë besimin e qytetarëve që të zbatoni Ligjin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës në këtë komunë, e ndjej për obligim moral si qytetar i kësaj komune, që t’ju flas me zë dhe t’ju bëj më dije sfidat që do t’i keni për katër vjet me radhë.
Sfida e parë – Mbrojtja e votës së lirë qytetare. Si qytetar që kam votuar për ju kërkoj që ta mbroni votën time dhe ajo të mos më përdhoset si në 2007’tën, atëherë kur edhe unë si mijëra qytetarë tjerë votova, por vota ime fatkeqësisht u përdhos. Kur shefi u UNMIK-ut, Joakim Ryker ua përdhosi votat qytetarëve të Shtërpcës, të cilët kishin dalë në zgjedhje në rreth 60 për qind (fjala është për shqiptarët), më 17 nëntor të vitit 2007, çdo gjë u pa qartë se në Kosovë, të paktën në disa pjesë të saj, fjala demokraci dhe votë e lirë qytetare është shumë larg të qenit realitet. E kjo u pa qartë në Shtërpcë. Sa për ilustrim po tregojmë se shqiptarët fituan pushtetin, pasi serbët s’dolën në zgjedhje, por UNMIK-u ua fali prapë pushtetin serbëve, natyrisht nga frika se ata kërcënuan. Si pasojë e kësaj, që nga atëherë, mijëra qytetarë të kësaj komune nuk kanë përfaqësues politik, mijëra qytetarë të kësaj komune nuk kanë ku të ankohen, ku ta qajnë hallin. Andaj, të nderuar këshilltarë të ardhshëm të Kuvendit të Shtërpcës ju bëj me dije se nëse e përdhosni edhe njëherë votën time, dhe merrni para pa punuar asgjë, do ju ndëshkoj rëndë me moralin dhe etikën qytetare, se më shumë s’kam mundësi.
Sfida e dytë – Zbatimi i ligjit. Sot, mbase si asnjëherë në historinë e këtyre qytetarëve, u duhet një lidership i mirëfilltë i cili do të ndante me to edhe të këqijat, sepse për të mira tashmë siç po shihet as që mund “t’u bien në dhëmballë”, ato janë privilegj i politikanëve të tyre. Andaj, kërkoj nga ju që të zbatoni ligjin! Nëse nuk e keni ditur, ju bëj me dije së në Shtërpcë nuk funksionon ligji, nuk dihet kush është padron e kush është i varur. Këtu ka shumë pushtete e pak ligj, ka shumë kryetarë e pak zyre, para ka pak e korrupsion shumë, ka shumë hotele e pak turistë, ka shumë male e pak ajër, ka shumë vila e pak park...., ka gjithçka shumë e gjithçka pak.
Sfida e tretë – Jetësimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Nëse nuk e dini, ju bëj me dije se që në momentin e parë ju do të shihni se Shtërpca realisht u takon dy republikave, në njërën anë Republikës së Kosovës dhe në tjetrën asaj të Serbisë. Është paksa paradoksale, por kjo është e vërtetë. Qytetarët e Shtërpcës sot kanë nevojë të shkojnë në komunën e tyre, sepse u duhen dokumentet, u duhet komunikimi me komunën, u duhen kushte jetësore, u duhet një kafshatë bukë, e çka s’u duhet atyre se. Por dijeni se për momentin s’kanë ku të shkojnë, në Shtërpcë ka pushtet paralel, të dirigjuar nga Serbia, në hyrje të komunës de fakto tashmë është ai, bile i stolisur edhe me flamur. Juve ju mbetet që ta bëni realitet Kushtetutën, e Republikës së Kosovës natyrisht, dhe ta orientoni komunën këndej.
Sfida e katërt është politike. Ju do të jeni ata që do të zhvilloni politikën në Shtërpcë. Andaj kërkoj nga ju që të bëni politikë të mirë, të jeni tolerantë (këtu përjashohet ligji), të jeni bashkëpunues mes vete, jo për t’u ulur në fotelet e buta të Kuvendit e për ndonjë tender, por për të bashkuar qytetarët dhe interesat e tyre. Ju do të përballeni me shumë pushtete, me pushtetin serb që është i instaluar në Shtërpcë, keni pastja edhe pushtetin e UNMIK-ut që vazhdimisht bënë sehir, por keni edhe një copë pushteti të Kosovës, i cili s’guxoi të shkoj në Shtërpcë goxha moti, sepse serbët janë më patriotë dhe natyrisht keni edhe disa politikanë që s’po kanë guxim t’u dalin në ballë qytetarëve se s’kanë çfarë u thonë pastaj. Ju bëj me dije se sfida juaj është ta hiqni mbishkrimin “Republika Serbija” në hyrje të ndërtesës ku ju do t’i mbani seancat e Kuvendit. Është paksa sfidë e rëndë, por keni dashur të bëheni këshilltarë, andaj ju takon.
Sfida e pestë ka të bëjë me korrupsionin. Këtu do ta ngris zërin shumë lart. Ju betohem se nuk do të lejoj të keqpërdoret taksa ime dhe e shtetit tim. Nëse ju këshilltarë të nderuar nuk do të vraponi shumë pas mëditjeve që rrjedhin nga xhepat e taksapaguesve, por pas asaj që thirreni, vërtetë do ta kaloni provimin, bile me notë të lartë. Shumë qytetarë të Shtërpcës sot s’kanë rrugë të asfaltuar, s’kanë televizion në gjuhën e tyre, s’kanë para për t’i paguar edhe ata pak mësues që kanë, s’kanë mjek, s’kanë as barna elementare, shumë të tjerë s’kanë kulm mbi kokë, e një pjesë e tyre, si në Kosovë më, s’kanë mbase as bukë për nesër, e sa i përket internetit, kjo është vetëm një fjalë që kanë dëgjuar diku...Mbase, ju të nderuar këshilltarë të ardhshëm të Kuvendit të Shtërpcë, do t’i shihni e kuptoni drejtë qytetarët tuaj, sepse kur të vjen koha e zgjedhjeve tjera, s’do të keni fytyrë pastaj, mbase do të bëhet shumë vonë, mbase...
Ka edhe shumë sfida tjera, por për ato do ju flas një herë tjetër.
Me nderime!
(Autori është koordinator i OJQ-së "SHARRI" në Shtërpcë dhe gazetar në "Zëri")


