Lëshohet në përdorim aeroporti i rinovuar i Ohrit, Mickoski: Maqedonia është vend më i mirë se para tre vitesh
"Aeroporti i Ohrit po merr një dinamikë dhe cilësi tjetër", theksoi kryeministri Hristijan Mickoski në hapjen zyrtare të ndërtesës së rikonstruktuar të terminalit të aeroportit të Ohrit “Shën Apostol Pali”. Ai pret, siç tha, që në periudhën që pason, numri i pasagjerëve, por edhe numri i kompanive që do t’i përdorin shërbimet e aeroportit të Ohrit të rritet.
Sipas Mickoskit, aeroporti i Ohrit është hallkë e rëndësishme para së gjithash për zhvillimin e të gjithë rajonit, për zhvillimin e Maqedonisë si shtet, por njëkohësisht edhe për zhvillimin e Ohrit, Strugës dhe komunave të tjera që janë pranë këtij aeroporti, sepse në atë mënyrë zhvillohet ekonomia.
“Nga ajo që munda të mësoj nga përfaqësuesit e TAV aeroporteve, të cilët vërtet impresionojnë me punën e tyre në Maqedoni gjatë viteve të fundit, është fakti se këtë vit shënohen rekorde në aeroportin e Ohrit ‘Shën Apostol Pali’. Kemi ditë kur praktikisht kemi pasur numrin më të madh të pasagjerëve deri tani në histori, më shumë se 3 mijë në një ditë. Po ashtu kemi edhe ditë kur ka më shumë se 20 fluturime, që gjithashtu paraqet një shifër të rëndësishme.
Ai shprehu bindjen se në periudhën që pason me aktivitetet ndërtimore dhe mbështetjen e qeverisë këto shifra do të dyfishohen.
Mickoski njoftoi se Qeveria do të vazhdojë më tej të investojë në infrastrukturë dhe ta bëjë Maqedoninë kryqëzim në rajon.
“E di se ende kemi shumë probleme për të zgjidhur, e di se ndoshta nuk jetohet ashtu siç dëshirojmë të jetohet, por gjithashtu jam i bindur se me të gjitha këto investime që i bën qeveria, me të gjitha këto aktivitete që i bëjmë si Qeveri sot Maqedonia është vend shumë më i mirë për të jetuar se sa ishte para tre vitesh.
"Dhe jam i bindur për këtë. Në çfarë e mbështes këtë bindje? E mbështes në faktin se jemi të motivuar si kurrë më parë, ndërsa mbështetja që e marrim nga qytetarët na frymëzon si kurrë më parë të vazhdojmë të punojmë”, tha Mickoski.


