Legjenda e Francës e ngrit në qiell Olisen: E meriton Topin e Artë, është më i mirë se Messi e Ronaldo
Ish-mbrojtësi i Bayern Munich dhe i Kombëtares së Francës, Willy Sagnol, ka bërë një deklaratë të fortë për talentin e Michael Olise, duke e cilësuar si lojtarin më të mirë në botë në këtë moment.
Sagnol ka thënë se vetëmohimi dhe ndikimi i 24-vjeçarit e vendosin atë përpara çdo futbollisti tjetër aktual, duke shkuar deri aty sa ta krahasojë me legjenda si Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.
Duke folur për “BILD”, Sagnol u shpreh se nëse Olise nuk e fiton “Topin e Artë”, atëherë sipas tij “diçka nuk shkon me futbollin”.
“Olise është më i miri në botë, shumë përpara të gjithëve të tjerë. Nëse ai nuk e fiton Topin e Artë në fund të vitit, atëherë diçka seriozisht nuk shkon me futbollin”, tha Sagnol.
Ai shtoi se Olise është një lojtar i pastër ekipi, i fokusuar më shumë te loja kolektive sesa te statistikat personale, duke e krahasuar edhe me stilin e Zinedine Zidane.
“Zinedine Zidane ishte pikërisht i njëjti. Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, të cilët kanë dominuar futbollin botëror për 15 vitet e fundit, ende luajnë pak më shumë për veten dhe statistikat e tyre. Nuk kam asgjë kundër Ronaldos dhe Messit, ata janë të mrekullueshëm. Olise është thjesht një lojtar i vërtetë ekipi.”
Sagnol theksoi gjithashtu se ylli i Bayernit nuk luan për statistika, ndryshe nga shumë yje modernë, duke shtuar se pikërisht kjo e bën atë të veçantë në futbollin e sotëm.
Olise ende nuk ka shënuar gol në Kupën e Botës, por ai ka bërë gjashtë asistime në katër ndeshje. /Telegrafi/


