Ndarja nga jeta e Alush Gashit, reagojnë krerë institucionesh e partish
Ndarja nga jeta e Prof. Dr. Alush Gashit ka nxitur reagime nga krerë institucionalë dhe subjekte politike, të cilët kanë shprehur ngushëllime për familjen dhe kanë vlerësuar kontributin e tij në jetën akademike, mjekësore dhe publike në Kosovë.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se e ka marrë me pikëllim lajmin për vdekjen e Prof. Dr. Alush Gashit, duke e cilësuar atë si mjek, profesor universitar, veprimtar politik dhe nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Alush Gashit, mjekut, profesorit universitar, veprimtarit politik dhe nënshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka përmendur kontributin e tij si profesor i Anatomisë, specialist i Kirurgjisë së Përgjithshme dhe ish-dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, si dhe angazhimin e tij institucional si deputet.
“Prof. Dr. Gashi i shërbeu vendit në shumë fusha dhe në periudha të rëndësishme të historisë sonë… Ngushëllime familjes Gashi, miqve, bashkëpunëtorëve, komunitetit akademik e mjekësor dhe të gjithë atyre që e njohën e punuan me të. I përjetshëm qoftë kujtimi për Prof. Dr. Alush Gashin”, ka përfunduar ajo.
Më pas, ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila ka njoftuar se ka pranuar me “pikëllim të thellë” lajmin për vdekjen e profesorit Alush Gashi, duke e cilësuar si një prej themeluesve të LDK-së dhe anëtar të Kryesisë.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit, një prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe anëtarit të Kryesisë, Prof. Alush Gashi”, thuhet në postimin e LDK-së.
LDK ka theksuar se Gashi ishte bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe një prej figurave që, sipas saj, mishëronte filozofinë rugoviane, maturinë politike dhe përkushtimin ndaj Republikës së Kosovës.
“Prof. Alush Gashi ishte bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe një prej figurave më përfaqësuese të filozofisë rugoviane…”, thuhet në reagim, ku shprehen edhe ngushëllime për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët.
Pas këtyre reagimeve, ngushëllime ka shprehur edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, i cili ka vlerësuar figurën e Gashit si pjesë e jetës publike, akademike dhe politike në Kosovë.
“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit Alush Gashi. Prof. Gashi ishte një nga figurat e njohura të jetës publike, akademike dhe politike në Kosovë, me kontribut të gjatë në shëndetësi, arsim dhe në ndërtimin e institucioneve të vendit”, ka shkruar Hamza.
Ai ka shprehur ngushëllime për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët, si dhe për, siç është shprehur, “familjen e tij politike”.
“Në këto momente të vështira, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, miqve, bashkëpunëtorëve dhe familjes së tij politike”, ka deklaruar Hamza. /Telegrafi/


