Please enter at least 3 characters.

Lautaro mund të ishte pjesë e Barcelonës, por Marotta zbulon arsyen pse transferimi dështoi

Barcelona ka tentuar të afrohet me Lautaro Martinezin gjatë afatit kalimtar të verës, por Interi nuk ka qenë i gatshëm të negociojë largimin e kapitenit të tij.

Këtë e ka konfirmuar presidenti i Interit, Beppe Marotta, i cili ka zbuluar se mes dy klubeve ka pasur diskutime për sulmuesin argjentinas, por ato nuk kanë avancuar asnjëherë në negociata konkrete.

“Sjellja e tij ishte shembullore. Ai tregoi një ndjenjë të jashtëzakonshme përkatësie, duke shmangur çdo lloj negocimi me Barcelonën”, deklaroi Marotta.

Presidenti i Interit konfirmoi se kontaktet mes klubeve kanë ekzistuar, por situata e Lautaros nuk ka lënë hapësirë reale për një transferim.

“Dy klubet patën diskutime, por kushtet për të hapur negociata nuk ekzistonin në asnjë mënyrë”, shtoi ai.

Lautaro kishte qenë një prej emrave të lidhur me Barcelonën gjatë verës, teksa klubi katalanas po kërkonte një sulmues të nivelit të lartë për të përforcuar repartin ofensiv. Interi, megjithatë, e konsideronte argjentinasin të paprekshëm.

Vetë Lautaro konfirmoi më herët se interesimi i Barcelonës ishte real, por vendosi të qëndronte në Milano, duke theksuar lidhjen e tij të fortë me Interin.

Marotta nuk la asnjë dyshim për rëndësinë që Lautaro ka për klubin zikaltër.

“Lautaro përfaqëson të tashmen dhe të ardhmen e klubit tonë. Nëse duam të fitojmë, kemi nevojë edhe për lojtarë si ai”, tha presidenti i Interit./Telegrafi/