Lautaro Martinez flet për largimin e Inzaghit nga Interi dhe finalen e Ligës së Kampionëve
Sulmuesi i Interit, Lautaro Martinez, ka dhënë një intervistë të gjatë për France Football, si një nga kandidatët në listën e ngushtë për Topin e Artë të këtij viti.
Sulmuesi argjentinas foli për një sërë temash, disa të lidhura me futbollin dhe të tjera që kishin të bënin me jetën e tij personale.
Një nga temat kryesore të intervistës ishte humbja 5-0 në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Paris Saint-Germain dhe largimi i trajnerit Simone Inzaghi pak kohë më pas.
I pyetur nëse largimi i pritshëm i Inzaghit kishte ndikuar në rënien e Interit në fund të sezonit, ku humbën si titullin e Serie A ashtu edhe finalen e Ligës së Kampionëve, Lautaro u përgjigj qartë.
“Absolutisht jo. Çdokush është i lirë të marrë vendimet e veta. Trajneri nuk na tha kurrë se kishte marrë një ofertë apo se do të largohej. Prandaj, ne ishim të distancuar nga të gjitha zërat dhe të përqendruar te objektivat tanë”.
“Ai gjithmonë tregoi profesionalizëm. Ndiheshim shumë mirë me të, ishte forca shtytëse e skuadrës”.
Humbja 5-0 në finale ishte më e thella në historinë e Ligës së Kampionëve, dhe Lautaro zbuloi se skuadra nuk arriti të zbatojë planin e përgatitur, përballë një PSG-je të fortë, të sigurt dhe të organizuar mirë.
“Desha të flisja me bashkëlojtarët, por nuk munda. Asgjë nuk më dilte nga goja. Ishte si një bllokim. U ndjeva pak në ankth dhe i trishtuar, sepse ishte një goditje e rëndë”.
“Kishim mundësinë të fitonim tre trofe dhe në fund mbetëm pa asnjë”, përfundoi argjentinasi./Telegrafi/


