Lanika Rexhepi shpallet nënkampione e Evropës në karate
Federata Shqiptare e Karatesë ka kënaqësinë të njoftojë një sukses të madh në arenën ndërkombëtare. Garuesja Lanika Rexhepi është shpallur Nënkampione e Evropës në kategorinë Cadet +61 kg, në kuadër të Kampionatit Europian Cadet, Junior & U21, i cili u zhvillua në Limassol të Qipros.
Ky kampionat mblodhi rreth 1293 garues nga e gjithë Evropa, duke e bërë konkurrencën jashtëzakonisht të fortë.
Lanika Rexhepi zhvilloi një paraqitje mbresëlënëse gjatë gjithë turneut, duke dominuar bindshëm në fazat eliminatore dhe duke siguruar vendin në finale.
Rruga e Lanika Rexhepit drejt medaljes së argjendtë
- Fitore 8-0 ndaj Malit të Zi
- Fitore 8-0 ndaj Gjeorgjisë
- Fitore 6-1 ndaj Francës
- Fitore 3-0 ndaj Italisë
Ky rezultat pasqyron përkushtimin, disiplinën dhe seriozitetin e Lanika Rexhepit, si dhe punën e vazhdueshme të stafit teknik dhe mbështetjen e Federatës Shqiptare të Karatesë në zhvillimin e sportistëve të rinj.
Federata Shqiptare e Karatesë e uron Lanika Rexhepin për këtë arritje të madhe dhe i dëshiron suksese të tjera në garat e ardhshme ndërkombëtare. /Telegrafi/


