Please enter at least 3 characters.

Laicizmi dhe Religjioni

Shoqëria bashkëkohore karakterizohet për nga individualizmi, një konkurrencë në treg dhe mbi të gjitha kjo shoqëri njeriun çdo herë e shpie në një pasiguri. Në këtë kontekst edhe lidhja emocionale, motivuese, dhe introspeksionale e njeriut me religjionin shkon duke u zbehur, gjë që si rezultat i kësaj kemi shumë konvertime të ndryshme, kemi një radikalizëm nga grupe apo lëvizje fetare që mbrojnë me fanatizëm vlerat dhe pikëpamjet e tyre dogmatike dhe mbi të gjitha kemi një shkëputje të religjionit në mënyrë drastike nga ana e shtetit. Por, në anën tjetër kemi edhe vetë disa nga religjionet që janë akomoduar më lacizmin si proces i një ndryshimi social.

Megjithatë, raporti në mes të religjiozes dhe laicizmit meriton një vëmendje të posaçme nga shumë këndvështrime. Aktualiteti i sotëm flet qartë dhe me një gjuhë pak sa më ndryshe, kur bëhet fjalë për këto dy çështje. Laicizmi në kuptimin logjik do të thotë një proces ose thjesht pikëpamja, sipas të cilës tërësia dhe masa praktike shoqërore e politike, të cilat synojnë të pengojnë krejtësisht ndërhyrjen e ndikimit të religjionit në punët shtetërore. Prandaj, si pikëpamje, si një koncept laicizmi filloi pikërisht me revolucionin borgjez francez të vitit 1789, ku deri në atë periudhë kishin një martesë jashtëzakonisht të lartë feja dhe shteti.

Teokracia kishte një ndikim të lartë në atë kohë, dhe ishin të njohura tre krimet më të mëdha të asaj kohe: Herezia, Sakrilegji dhe Blesfemia. Herezia kishte të bënte me propagandimin e doktrinave fetare për krishterimin, Sakrilegji ishte elementi i dëmtimit të kishës apo vjedhja e pronës kishtare, si dhe Blesfemia, të folurit keq për kishën si institucion apo të folurit keq për zotin apo çështjen fetare. Andaj, si pasojë e këtyre krimeve që konsideroheshin në atë kohë me mijëra njerëz u ekzekutuan, disa u burgosën e të tjerë u zhdukën etj.

Laicizmi ishte pikërisht ajo praktika apo synimi i ndarjes së religjionit nga shteti, ku bë ndarja simbolike dhe faktike në mes të shtetit dhe fesë. Kjo, ndarje bëri që në njërën anë të shpëtonin shumë jetë dhe që kisha mos të ketë kurrfarë ndikimi mbi shtetin, mirëpo në anën tjetër kjo ndarje ishte tejet e kundërt me vlerat, pikëpamjet dhe besimet fundamentale të vetë religjionit dhe njerëzve fanatik që me dogmatizëm mbronin këto vlera.

Ky laicizëm që ndodhi me Revolucionin Borgjez Francez dha një kah krejt tjetër religjionit në raport me shtetin dhe tani më shteti ishte një aparat politik pushteti i të cilit mbështetej nga një sistem ligjor dhe nga aftësia për të menaxhuar apo për të përdorur forcën në raste të kërkuara për zbatimin e politikave të vetë shtetit, dhe religjioni ishte një proces ku njeriu individualisht vendoste për vetën e tij, ku organizata fetare si një institucion kishte për qëllim organizimin për jetën dhe shërbesat fetare të atij shteti.

Edhe pse realisht themeluesi i sociologjisë konsiderohet Ibën Khalduni, megjithatë, në literaturën sociologjike si themelues e marrin Kontin i cili ritheksonte se shoqëria ka kaluar nëpër fazën teologjike, e pastaj në atë metafizike dhe në fund ka arritur në atë shkencore, ku këtë të fundit e ka konsideruar si fazë e racios (arsyes) mbi dogmën, dhe lirimi apo krijimi i një individualitetit mbi të menduarit mbi etikën religjioze. Andaj, sot ka teori dhe qasje të ndryshme rreth fenomenit të religjionit në raport me laicizmin, duke pohuar gjithnjë se feja zbehet në modernitet. Njëri ndër ta është edhe Gellneri i cili pohon se “ në shoqëritë industriale apo në industrializëm feja humb shumë nga ndikimi i mëparmë, është në përgjithësi e saktë “.

Normalisht, se këtu lidhën edhe shumë faktorë, njëri ndër ta është edhe industrializmi dhe urbanizmi i vrullshëm, pikërisht në fund të shekullit XIX-të. Ndërsa, në anën tjetër nga tipologjia e besimeve kemi edhe grupe ku hyjnë tipat radikal dhe fanatik të religjionit, të cilët mbrojnë më fanatizëm ende vlerat dhe pikëpamjet e doktrinës së vjetër. Sipasoj, e këtij reaksioni kemi të shumtën e rasteve edhe shpërfaqje të konflikteve dhe acarim të raporteve ndërfetare. Mirëpo, pothuajse sot të gjitha religjionet janë laicizuar duke bërë kësisoj që ky laicizim të shpërfaqet nga disa faktorë dhe duke u ndikuar drejtpërdrejt apo tërthorazi nga politika, fanatizmi, radikalizmi, pastaj zhvillimi tekniko-teknologjik etj.

Andaj. në këtë drejtim mund të përmendin disa nga arsyet e laicizimit të religjionit:

1. Individualizmi – Shoqëria moderne karakterizohet për nga individualizmi tejet i lartë, dhe mungesa e një solidariteti mekanik në gjuhën Durkemiane.Vlen të përmendët kapitalizmi që ka ndikuar në këtë element të deindividualizmit dhe ka bërë që jeta të jetë në disa raste edhe hermetike, raportet ndërfamiljare janë zbehur dhe është thurur një sllogan ,, punë vetëm punë ,,! Ndërsa në anën tjetër, gjithnjë në këtë drejtim po ndikon koha, pasi që njeriu tani më ka kohën e kufizuar, ai ka bërë që edhe mos të ketë kohë as për ritualet e tij fetare, por gjithnjë të jetë i privuar nga jeta dinamike dhe koha e kufizuar.

2. Racionalizmi – Sot, shoqëria moderne më shumë e çmon të menduaritë racional, shkencën e cila është racionale, madje edhe vetë një organizatë e cila është racionale. Ky racionalizëm ndikon edhe në veprimet ekonomike, dhe njeriu normalisht se pasi që ka nevojë për të mira materiale, ai edhe nuk ka vullnet të jetë më praktikant i shërbesave fetare si më parë, sepse rrethanat ekonomike-sociale, dhe faktorët tjerë e kanë kushtëzuar. Dikur Schopenhaueri theksonte se “ elementi parësor tek njeriu është vullneti, ndërsa intelekti është veç dytësor, ai e quan këtë të fundit si një shfaqje të veçant për jetën Brenda trurit dhe sistemit nervor dhe si një vegël të thjesht në shërbim të vullnetit “.Andaj, njeriu bashkëkohor ka qasje racionale dhe falë teknologjisë globale e sidomos asaj virtuale ka bërë që shumë më shumë t’i kushtohet këtij racionaliteti se sa religjionit. Mirëpo, nuk duhet përjashtuar mundësinë se sot edhe diskurset mbi religjionin zakonisht zhvillohen më qasje racionale dhe në drejtime të racios, gjë që i mundëson njeriut edhe një aspekt pozitiv drejt asaj që të jetë besimtarë i devotshëm por, gjithnjë të jetë më tolerant dhe të respekton identitetet tjera fetare

3. Pluralizmi – Karakteristikë e zhvillimit të shoqërisë moderne dhe sistemit të demokracisë liberale është edhe pluralizmi, përderisa më herët njerëzitë kanë jetuar më bindjet dhe besimet e të njëjtit grup dhe nuk i kanë vënë në dyshim këto bindje, në shoqërinë moderne ndryshon raporti, këtu kemi të bëjmë me besime të ndryshme, kultura të ndryshme në të njëjtin ambient, andaj edhe secili ka një liri më të madhe në çështjen fetare të besimit të tij, pra është e drejt e individit të vendos për jetën private të tij. Ky pluralizëm ka bërë që sot të shtohen tipet e shumta të besimtarëve të ndryshëm, të krijohen lëvizje fetare, të strukturohen religjionet si dhe të reformohen, dhe mbi të gjitha një pjesë bukur e madhe e religjioneve të mëdha të laicizohen.

4. Riorganizimi fetar – Çështje e katërt dhe e fundit është ajo e riorganizimit fetar, pra në shoqërinë e sotme kemi një laicizëm edhe në vetë brendinë e organizatave fetare p.sh deri dje ishte e ndaluar sipas shumë religjioneve çështja rreth abortit, sot shumica e religjioneve një gjë të tillë e shohin si normale për derisa është në rrezik jeta e nënës së fëmijës, tjetër shembull mund të themi se është edhe çështja rreth idesë se: A ka të drejtë një njeri të kandidojë për Papë, nëse backgroundi i tij i mëparshëm ka qenë homoseksual apo jo? Dikur kjo ishte një tabu as që flitej nga klerikët dhe prijësit fetar, tani më kjo çështje është lejuar dhe kanë drejt ata që kanë pasur backgrounde të ndryshme të konkurojnë në poste të tilla. Andaj, në këtë drejtim sociologët kanë vërejtur një zhvendosje të ekuilibrit fetar ndërmjet kongregacioneve fetare dhe dominacioneve të cilat u përkasin shumica e tyre.

Këto ishin vetëm disa prej faktorëve kyç që quan religjionin drejt asaj që quhet laicizëm i lartë, por në suazat më të gjëra ka edhe faktorë të tjerë të cilët padyshim se kanë një influencë jashtëzakonisht të madhe në ndikimin dhe përhapjen e këtij laicizmi të shpejt si rrjedhojë e procesit të globalizmit të sotëm.

Islami dhe lokalizmi kosovar

Padyshim, se në shoqërinë bashkëkohore temë debati dhe një diskurs që në shumicën e rasteve është hiper-zmadhuar është laicizmi në njërin prej religjioneve monoteiste pra islamit. Islami si një religjion me më ndikim sot në botë, për dallim nga religjionet tjera nuk ka kler, ai është një religjion ku shteti, jeta dhe struktura socio-ekonomike janë të pandashme, shoqëria islame nuk ia jep pushtetin klasës së klerikëve, megjithatë në islam udhëheqin dijetarët, ulematë, teologët, dhe rregullimi shoqëror është konform me ligjet islame. Mirëpo, edhe islami si religjion si pasojë e shumë ndryshimeve sociale, rrethanave historike-politike, migrimeve të ndryshme është laicizuar.

Megjithatë, vlen të theksohet njëri ndër ata që futi laicizmin në shtetin islam është Kemal Mustafa Ataturku (1881-1938), duke nxjerr Turqinë nga ombrella e së drejtës islame, d.m.th. duke reformuar atë dhe duke krijuar një Turqi moderne tipike laike, të paktën këtë na e dëshmon historia. Më vonë ky laicizëm, pra laicizmi kemalist pati edhe një bujë dhe ndikim të lartë në shtetet tjera islame.

”Në botën islame laicizmi mbështetet nga ideologjia moderniste. Në Turqi bashkohësia (modernizmi) është përdorur si një armë efektive për të sulmuar çdo gjë që vjen nga rregullimi shoqëror dhe botëkuptimi islam… ”, në mes tjerash thekson autori turk Bullaç. Prandaj, sot shtete laike pothuajse janë të gjitha shtetet e lindjes (siç quhen ndryshe edhe shtete të orientalistëve islam) duke përfshirë që nga Turqia, Algjeria, Emiratet e Bashkuara, Singapori, Malejzia etj.

Si vend që konsiderohet se ka sheriat islam, pra që udhëheqin shtetin me ligjet islame është Arabia Saudite, pra të dy vendet e shenjta Meka dhe Medina, të tjerat kanë ndryshuar strukturën si pasojë e shumë faktorëve që kemi cekur më lartë. Ndërsa, në anën tjetër kemi edhe pjesën e Evropës juglindore me popullatë shumice muslimane, të cilët që nga ardhja e sundimit Osman kanë akceptuar vlerat, kulturën, pikëpamjet e islamit.

Megjithatë, vlen të përmendet se diskursi dhe polemikat e shumta rreth çështjes se A ka islam autokton apo jo? posaçërisht tek shqiptarët është një temë e cila meriton një analizë të thellë. Pavarësisht nga ajo çka thuhet në debatet e shumta, në mediet tona si dhe në shumë organizma të lartë, islami është një religjion dhe fondamenti i tij nuk ka ndryshuar, sepse në dioptrinë analitike sociologjike dhe pragmatizmin historik kemi të bëjmë me të njëjtin religjion. Por, vetëm ndryshojnë disa nga pikëpamjet rreth arabëve musliman dhe shqiptarëve musliman.

E para - është se perceptimi dhe mënyra e të menduarit ndryshon shumë nga shqiptarët dhe ajo e lindjes. Ku edhe Gellneri në librin e tij ,,Konditat e Lirisë,, rithekson se,, përderisa perëndimorët e kanë shprehur nacionalizmin, në botën arabe kjo është shprehur në fundamentalizëm’’, andaj në këtë kontekst të shqiptarët e Kosovës kemi të bëjmë më një vetëdije më të lartë nacionale karshi asaj fetare.

E dyta - si element të dytë mund të pohojmë se është edhe pozita gjeostratigjike e Kosovës në raport me lindjen, përderisa shumica e vendeve të lindjes janë paragjykuar dhe konsideruar si botë e tretë, Kosova de facto dhe de jure i ka takuar zonjës se vjetër, pra Evropës dhe dashtë e padashtë është përshtatur një laicizmit të tillë.

E treta - mund të themi se ka të bëjë me mënyrën se sa janë ,,open mind,, shqiptarët në krahasim me vendet e botës arabe, pra në kuptimin e asaj që shqiptarët çdo herë kanë qenë më tolerantë , p.sh. përderisa kamikazët e ndryshëm janë flijuar për vlera fetare në lindje, nuk ka pasur raste të tilla tek shqiptarët, gjë që dëshmon se kemi një tolerancë fetare në krahasim me popujt arabë.

Dhe e katërta - që kemi identifikuar në këtë ese të shkurtër është edhe pse në Kosovë çdo herë është pohuar se janë mbi 90 % musliman, pjesa dërmuese e kosovarëve kanë qenë të identifikuar si besimtarë laik, ku kemi pasur rastin që shumë religjione kanë ndërvepruar dhe pasur një bashkëpunim ndërfetar, dhe asnjëherë nuk kanë pasur konflikte ndërmjet tyre, gjë që e dëshmon se edhe pohimi i asaj që lufta në Kosovë nuk ka qenë luftë fetare, mirëpo ka qenë luftë tipike për spastrimin etnik të shqiptarëve. Andaj, edhe në Kushtetutën e Kosovës, pikërisht në nenin e 8 theksohet se: Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare.

Këto janë vetëm disa nga dallimet e shumta të cilat mund t’i kemi me popujt musliman të lindjes, mirëpo ajo që mbetet e pandryshuar është identiteti fetar, pra islami si fe është e njëjtë me popujt arab, andaj si pasojë e kësaj nuk mund të ketë islam autokton, sepse në të kundërtën do të ishte një efekt boomerang për vetë islamin si një religjion.

(Autori ka master në Sociologji)