Kuvendi i Kosovës për ekspozitën me pasaktësi: Përgjegjësia u takon autorëve
Kuvendi i Kosovës ka reaguar ndaj debatit të fundit rreth ekspozitës për krimet e luftës, duke theksuar se mbështetja për iniciativa të tilla bëhet në përputhje me mandatin institucional dhe praktikat e zakonshme.
Në reagim thuhet se Kuvendi mbështet projekte që trajtojnë çështje me interes publik, përfshirë kujtesën kolektive, dokumentimin e luftës dhe nderimin e viktimave, duke respektuar parimet e lirisë artistike dhe të drejtës autoriale.
Sipas këtij institucioni, kjo mbështetje jepet pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve, ndërsa përgjegjësia për materialet e paraqitura u takon autorëve dhe organizatorëve të ekspozitës.
Kuvendi thekson se kjo është praktikë standarde dhe nuk duhet të interpretohet si miratim apo redaktim i narrativës së prezantuar.
Megjithatë, Kuvendi i Kosovës bën të ditur se do t’i adresojë shqetësimet e ngritura tek organizatorët e ekspozitës, duke nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes së dinjitetit të viktimave dhe kujtesës kolektive.


