Please enter at least 3 characters.

Kurti takon veprimtarin shqiptaro-amerikan, bisedime për reforma dhe siguri

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim veprimtarin e njohur të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Harry Bajraktari.

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në fushën e ekonomisë dhe mbrojtjes, si dhe për progresin që ka shënuar Kosova vitet e fundit.

Kurti theksoi arritjet kyçe në rritjen ekonomike, investimet në fushën e sigurisë dhe forcimin e institucioneve demokratike, duke riafirmuar përkushtimin e Qeverisë për të vazhduar reformat që sigurojnë zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët.


Një pjesë e veçantë e bisedës iu kushtua rolit të komunitetit shqiptaro-amerikan në SHBA dhe kontributit të tij në avancimin e çështjeve me interes të përbashkët për Kosovën.

Kurti vlerësoi lart angazhimin e Harry Bajraktarit dhe të komunitetit në përgjithësi në afirmimin e interesave të Kosovës dhe në forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Takimi u vlerësua si një kontribut i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit me diasporën dhe partnerët ndërkombëtarë. /Telegrafi/