Kurti pret studentë ndërkombëtarë nga ETH Zürich, flasin për perspektivën euro-atlantike
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim studentë ndërkombëtarë të ETH Zürich nga 15 vende të ndryshme të botës. Gjatë takimit u diskutua për Kosovën, perspektivën e saj euro-atlantike, si dhe zhvillimet ekonomike e demokratike në vend.
Takimi u zhvillua në një frymë interaktive, ndërsa diskutimet u përqendruan në Kosovën dhe të ardhmen e saj euro-atlantike, përfshirë synimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe NATO.
Në takim u diskutua edhe për rritjen ekonomike, sundimin e ligjit dhe përparimin demokratik të Republikës së Kosovës, si dhe zhvillimet në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe shërbimeve.
Kurti theksoi se ky sektor përbën 6% të Bruto Produktit Vendor, duke përmendur planet e Qeverisë për ndërtimin e TECH kullës dhe investime të tjera. Ai shtoi se me rininë dhe aftësitë gjuhësore të saj, Kosova ka potencial të madh për zhvillimin e mëtejmë të këtij sektori.
Studentët nga 15 vende të ndryshme të botës, ishin të shoqëruar nga Hana Syla.


