Please enter at least 3 characters.

Kurti organizoi pritje për zyrtarët e kryeministrisë në ballkonin e Qeverisë: Shteti ecën pavarësisht pengesave politike

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin e sotëm organizoi pritjen tashmë tradicionale për zyrtarët publikë të Zyrës së Kryeministrit, në Ballkonin e Hapur të Qeverisë.

Kurti i falënderoi zyrtarët për angazhimin dhe kontributin që japin për qytetarët dhe shtetin.

“Unë ju falënderoj të gjithëve për angazhimin edhe kontributin që bëni. Qartazi shteti ecën pavarësisht pengesave politike, pavarësisht vështirësive të ndryshme procedurale. Edhe rritja ekonomike, edhe zhvillimi kulturor, edhe administrata shtetërore, por gjithashtu edhe fushëveprimtaritë tejet të rëndësishme që janë për qytetarët e Republikës, prej arsimit e shëndetësisë, tek infrastruktura, mjedisi, sporti e të tjera, që të gjitha janë duke ecur mbarë e mirë dhe kjo duke ju falënderuar zyrtarëve si puna juaj që janë këtu në kryeministri, por edhe në secilën ministri, dhe agjenci të shtetit tonë”, vlerësoi kryeministri në detyrë Kurti.

Ai tha se javën e ardhshme është edhe Dita e Shërbimit Publik “andaj urime të gjithëve sepse këtë punë e bëjmë ne, shërbejmë”.

“Politika për ne është shërbim dhe është shërbim efikas e demokratik. Demokratik sepse është shërbim ndaj popullit dhe efikas për shkak se e vlerësojmë shumë kohën e qytetarit, ndërkohë që koha jonë nuk është thjeshtë koha jonë, është koha e shtetit për qytetarin. Andaj, edhe përpiqemi që të bëjmë më të mirën e mundshme me krejt çfarë dimë në mënyrë që qytetarët të jenë sa më të kënaqur, në kuptimin e të drejtave dhe mundësive të tyre, të cilët duhet t’i shfrytëzojnë për mirëqenien e tyre individuale e familjare”, ka thënë Kurti.

Tutje ai tha se në këtë mënyrë edhe shoqëria jonë ka progres, për shkak se duke u kujdesur për secilin, duke u kujdesur për njëri-tjetrin, atëherë edhe ajo që është agregate e kumulative, e përgjithshme, padyshim që avancon.

“Ballkoni i Hapur besoj që është kundërvënia më e mirë e atyre ‘blic’ takimeve, që i kemi në korridore, shkallëve dhe në ashensor. Nuk kanë zyrat ballkone të veçanta, por kjo është arsyeja pse ndërtesa e ka një ballkon të përbashkët, dhe unë ju inkurajoj që sa më shumë të takoheni këtu, sidomos paradite kur nuk ju bie dielli, dhe që të koordinoheni me njëri-tjetrin, të bashkëveproni meqenëse në përmasën në të cilën ne arrijmë të krijojmë ekipe të suksesshme, aq më e mirë do të jetë puna jonë dhe aq më të mëdha do të jenë rezultatet tona”, ka thënë Kurti. /Telegrafi/