Please enter at least 3 characters.

Kurti në Forumin e Agrobiznesit Itali-Kosovë: Marrëdhëniet ekonomike duhet të thellohen

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Forumin e Agrobiznesit Itali-Kosovë, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e partneriteteve ndërmjet bizneseve nga të dy vendet.

Në fjalën e tij, Kurti tha se Italia mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës në disa fusha kyçe.

“Italia është një nga partnerët më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës në fushën e ekonomisë, diplomacisë, sigurisë, si dhe në mbështetjen për zhvillimin e vendit tonë. Marrëdhëniet tona janë të forta dhe tani është koha që ato të thellohen edhe më shumë në dimensionin ekonomik dhe prodhues”, tha ai.

Sipas tij, forumi ka rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e lidhjeve të drejtpërdrejta ndërmjet bizneseve.

“Ky forum ka rëndësi të veçantë, pasi zhvillimi ekonomik nuk vjen vetëm nga kapitali, por ai ndërtohet përmes partneriteteve, shkëmbimit të përvojave dhe lidhjeve direkte ndërmjet bizneseve”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se Kosova ka bërë progres në përmirësimin e klimës ekonomike dhe të investimeve.

“Në vitet e fundit kemi rritur eksportet, kemi përmirësuar klimën e të bërit biznes dhe kemi tërhequr investime të reja. Por mbi të gjitha, Kosova ka energjinë e njerëzve të saj si një popullsi e re, dinamike dhe sipërmarrëse, e cila kërkon partneritete serioze dhe afatgjata”, tha kryeministri në detyrë.

Kurti u shpreh i bindur se takimet biznes me biznes dhe aktivitetet promovuese do të krijojnë mundësi të reja bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Italisë.

“Kosova është e hapur për investime, për ide të reja dhe për partneritete serioze ekonomike”, përfundoi ai.

Në forum morën pjesë përfaqësues institucionalë, kompani dhe sipërmarrës nga Kosova dhe Italia, me fokus në sektorin agro-industrial dhe bashkëpunimin ekonomik afatgjatë./Telegrafi/