Kryetari Idrizi bën homazhe dhe viziton familjen e heroit Afrim Bunjaku
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka bërë homazhe sot pranë varrit të heroit polic Afrim Bunjaku, në dyvjetorin e rënies së tij gjatë sulmit terrorist në Banjskë.
Idrizi gjithashtu vizitoi familjen Bunjaku, duke shprehur mirënjohjen dhe respektin e qytetit për sakrificën e policit që mbrojti rendin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
“Heroi ynë do të mbetet përjetësisht shembull i trimërisë dhe përkushtimit ndaj atdheut. Lavdi e përjetshme Afrim Bunjakut”, tha Idrizi, duke e cilësuar rënien e tij jo vetëm si humbje për familjen, por edhe si plagë të përbashkët për gjithë Kosovën, përcjell Telegrafi.
Ai theksoi se Bunjaku ishte qytetar dhe baba i ndershëm, i cili me guxim u përball me një sulm të organizuar ushtarakisht dhe të mbështetur nga Serbia.
Në këtë përvjetor, Komuna e Vushtrrisë i ka përkujtuar qytetarët se 24 shtatori do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e tyre si ditë e dhimbjes dhe krenarisë. /Telegrafi/


