Please enter at least 3 characters.

Kryeministri dhe presidenti përplasen se kush do ta përfaqësojë Çekinë në samitin e NATO-s

Kryeministri çek, Andrej Babish dhe presidenti Petr Pavel janë përfshirë në një konflikt lidhur me atë se kush do ta përfaqësojë vendin në samitin e NATO-s që do të mbahet në korrik në Turqi. Ndërsa Pavel ka marrë pjesë në të gjitha samitet që nga viti 2023, Babish kundërshton praninë e tij në delegacionin zyrtar qeveritar, duke theksuar se përfaqësimi duhet të jetë kompetencë e ekzekutivit.

Babish ka deklaruar se nuk ka kuptim që presidenti dhe qeveria të shfaqen së bashku në të njëjtin rol në samit, duke argumentuar edhe çështje protokolli dhe sigurie. Ai insiston se delegacioni duhet të udhëhiqet nga qeveria, ndërsa roli i presidentit në politikën e jashtme kërkon miratim të ekzekutivit sipas kushtetutës çeke, gjë që e bën të paqartë pjesëmarrjen e Pavelit.

Përplasja mes tyre është thelluar që nga rikthimi i Babishit në pushtet në vitin 2025, duke reflektuar dallime të forta politike dhe personale. Pavel, ish-gjeneral i NATO-s dhe i orientuar pro-perëndimor, ka qenë kritik i vazhdueshëm ndaj qeverisë për çështje të politikës së jashtme dhe standardeve demokratike, shkruan politico.

Nga ana e tij, Pavel ka deklaruar se do të ishte “e turpshme” nëse nuk do të merrte pjesë në samit dhe madje ka ofruar të mbulojë vetë shpenzimet e udhëtimit. Ai po shqyrton edhe hapa ligjorë nëse i bllokohet pjesëmarrja, duke e çuar çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese.

Babish, ndërkohë, ka thënë se ai dhe ministri i jashtëm duhet të përfaqësojnë Çekinë në samit, duke përmendur edhe nevojën për të diskutuar me presidentin amerikan Donald Trump çështjen e shpenzimeve të mbrojtjes. Qeveria e tij synon të mbajë shpenzimet e mbrojtjes nën objektivin e NATO-s prej 2 për qind të PBB-së.

Ministri i mbrojtjes ka paralajmëruar megjithatë rritje të buxhetit ushtarak para samitit, për të përmbushur kërkesat e Aleancës, çka do të ndryshonte planet fillestare të shkurtimit të shpenzimeve të mbrojtjes nga qeveria.

NATO ka deklaruar se vendimi për përbërjen e delegacionit është çështje e brendshme e çdo shteti anëtar, ndërsa sondazhet tregojnë një opinion të ndarë në Çeki, me një shumicë të lehtë që mbështet pjesëmarrjen e Babishit në samit. /Telegrafi/