Kryeministër, drejtësia nuk njeh post ministër
Paraqitja e parë publike e kryeministrit Hashim Thaçi për rastin Limaj, shënoi fillimin e një betejë të re me përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare në Kosovë: ICO-së dhe EULEX-it.
Ky reagim përveç se ishte i mbushur përplot me emocion, u përcoll me një dozë të madhe të zemërimit, inatit dhe tendencës së kryeministrit për të matur fuqinë e tij përballë mekanizmave ndërkombëtar që janë ftuar nga vetë institucionet e Kosovës për sundimin e rendit dhe të ligjit.
“Si kryeministër nuk do të lejoj që askush të linçohet apo me obstruksione të motivuara të ndodhin gjëra që nuk duhet të ndodhin. Drejtësia nuk ndërtohet me pretendime linçuese politike” tha kryeministri në këtë paraqitje.
Kjo deklaratë përveç si kërcënim mund të interpretohet edhe si ndërhyrje në sistemin e gjyqësisë dhe paragjykim i motivit të hetimit. Obstruksion-izëm (Sistem i luftës politike në vendet borgjeze revizioniste që pengon vazhdimisht zgjidhjen e një çështjeje)
“Limaj, Qeveria dhe të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë janë zotuar për luftë të pa kompromis kundër korrupsionit” tha kryeministri edhe pse përfaqësuesit e ndryshëm ndërkombëtarë gjatë vizitave në Kosovë, disa herë kanë tërhequr vërejtjen se zotimi e deklaratat nuk mjaftojnë për luftimin e korrupsionit, pa u shoqëruar me veprime konkrete.
Kreu i Qeverisë, me këtë qëndrim, nuk la përshtypje të fuqishme se njëmend është i interesuar për luftimin e korrupsionit. Aq më pak kur bëhet fjalë për korrupsionin tek personalitetet e larta qeveritare apo “peshqit e mëdhenj”, atakimi i të cilëve në një ose mënyrë tjetër dëmton imazhin e personalitetit të tij, të Qeverisë dhe të gjithë vendit.
Kryeministri tha se nuk i është prezantuar as edhe një fakt më i vogël inkriminues për Limajn. Në anën tjetër prokurori ndërkombëtar i EULEX-it është deklaruar publikisht se bëhet fjalë për keqpërdorim të miliona eurove nga kjo ministri dhe se vetëm në një rast janë zhvatur 2 milion.
Kryeministri Thaçi e cilësoi spekulant dhe manipulativ prokurorin e EULEX-it duke vënë në pikëpyetje rolin e tij por edhe punën e gjyqësorit rreth kësaj çështjeje.
Nëse dyshimet e ngritura nga prokurori i EULEX-it vërtetohen atëherë korrupsioni i cili dikur i shërbente kryeministrit si armë për të atakuar qeverisjen e kaluar, rrezikon të bëhet ogur i zi për vetë qeverinë e udhëhequr prej tij.
Motoja ZERO TOLERANCË NDAJ KORRUPSIONIT përveç se një refren verbal nuk ka dhënë rezultate të dëshiruara.
Parametrat flasin se deri më tash asnjë personalitet i lartë publik nuk është ndëshkuar për korrupsion megjithëse Kosova vazhdon të mbetet në top listën e vendeve me shkallë të lartë të korrupsionit në botë.
“Qeveria që udhëheq unë është e para që ka filluar ta luftojë pa kompromis korrupsionin dhe në këtë drejtim ka pasur edhe rezultate. Ju i njihni dhe opinioni i njeh angazhimet e mia personale në betejën politike kundër të keqes”, tha kryeministri në këtë paraqitje.
Por, ai nuk bëri të ditur cilat kanë qenë ato rezultate dhe çfarë angazhimesh i njeh opinioni.
Në një përgjigje të tillë, një pesimist i skajshëm në Kosovë do ti drejtohej kryeministrit me pyetjet: A kanë emër ata njerëz zoti Kryeministër, të cilët i keni larguar nga postet për shkak të korrupsionit? A jetojmë edhe ne në Kosovë apo jemi duke folur për botëra të ndryshme.
Fatkeqësisht realiteti në Kosovë lë shumë për të dëshiruar.
I ashtuquajturi riformatizim afirmativ i Qeverisë është vlerësuar në opinionin publik si një hap që ka sakrifikuar vetëm ata ministra pa mbështetje të duhur politike, pa ndikim të madh dhe të cilët më së paku apo fare s`kanë qenë të përfolur për korrupsion.
Opozita por edhe shoqëria civile i kanë cilësuar këto ndryshime kozmetike dhe si tentativë për tërheqjen e vëmendjes dhe mbulimin e hajnisë në nivele tjera?
Madje shumë pyetje janë ngritur rreth asaj se si është e mundur që në Kosovë të ndëshkohen njerëzit në zinxhirin më të ulët përderisa të kalojnë pa u vërejtur ata që janë lartë në hierarki.
Në gjithë këtë situatë është koha për reflektim dhe distancim nga e keqja për hir të një të ardhme më të mirë e prosperuese për Kosovën.
Në Kosovën që synon integrimin në BE luftimi i korrupsionit dhe i krimit të organizuar është një prej parakushteve themelore. Fundja korrupsioni dhe pasurimi në kurriz të qytetarëve duhet të ndalohen për hir të qytetarëve të këtij vendi dhe brezave që do të vijnë.
Nëse ju zoti kryeministër deklaroheni se të gjithë njerëzit duhet t`i kryejnë detyrat e veta në përputhje me mandatin e tyre atëherë lejoni ta bëjnë atë.
Të përmbahemi nga deklaratat linçuese dhe paragjykimet rreth hetimit. Të presim rezultatet e hetimeve.
Ndryshe çdo sjellje e pamatur mund të ndikojnë në tensionimin e situatës në Kosovë dhe inkurajimin e grupeve radikale për t`i shpallur luftë ndërkombëtarëve që njëherësh nënkupton shpallje luftë ndaj vetë-vetes
Nëse gjykatësit kosovarë nuk po mund të bëjnë drejtësi pa politikë, atëherë ta lëmë EULEX-in ta kryej punën e vetë.
Fundja e kemi thirr vetë. Askush nuk është mbi ligjin.
Bazuar në këtë parim, Zoti kryeministër drejtësia nuk njeh titull MINISTËR.
(Autori është gazetar në RTK. Qëndrimet në këtë shkrim janë personale)


