KRU “Hidrodrini”: Uji nga Fabrika e Klinës është i pijshëm
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” Sh.A. – Pejë ka bërë të ditur se furnizimi me ujë nga fundrruesi në ultrafiltra dhe procesimi në Fabrikën e Ujit në Klinë ka kaluar me sukses të gjitha kontrollet dhe testet e nevojshme.
Sipas njoftimit të kompanisë, analizat e kryera në vazhdimësi nga Laboratori i akredituar i KRU “Hidrodrini” dhe nga Instituti Rajonal i Shëndetit Publik (IRSHP) konfirmojnë se uji i kësaj pike furnizuese është brenda normave të lejuara për konsum njerëzor, përcjell Telegrafi.
“Rezultatet tregojnë qartë se uji i furnizuar nga kjo pikë është brenda të gjitha standardeve të përcaktuara për ujin e pijshëm”, thuhet në njoftim.
Ky verifikim vjen pas testimeve të vazhdueshme që janë zhvilluar që nga faza e parë e procesimit, duke siguruar qytetarët për cilësinë dhe sigurinë e ujit të pijshëm që shpërndahet nga Fabrika e Klinës. /Telegrafi/


