Please enter at least 3 characters.

Kroacia mposht Panamanë me shumë vështirësi dhe mbetet në garë për kalimin në fazën eliminatore

Kroacia ka arritur një fitore të rëndësishme 1:0 ndaj Panamasë në ndeshjen e raundit të dytë të Kupës së Botës, e zhvilluar në Toronto, duke mbajtur gjallë shpresat për kualifikim nga grupi.

Goli vendimtar u shënua nga Ante Budimir në minutën e 55-të, në një sfidë ku kroatët u detyruan të vuajnë gjatë gjithë 90 minutave.

Skuadra e Zlatko Dalic e nisi ndeshjen me vështirësi të dukshme, duke luajtur një pjesë të parë të ngadaltë dhe pa ide, ku mesfusha me Luka Modric dhe Mateo Kovacic nuk arriti të vendoste ritmin përballë presionit të Panamasë.

Madje, më të rrezikshëm në 45 minutat e para ishin kundërshtarët, të cilët krijuan disa raste të pastra për shënim.

Dominik Livakovic mbajti gjallë Kroacinë me disa pritje vendimtare, përfshirë një ndërhyrje të shkëlqyer ndaj Jose Luis Rodríguez në minutën e 23-të, duke shmangur pësimin e golit në momentet më të rrezikshme të pjesës së parë.

Dalic reagoi me dy ndryshime të hershme, duke futur në lojë Ante Budimir dhe Andrej Kramaric, ndërsa Ivan Perisic u zhvendos në krahun e majtë të mbrojtjes. Pikërisht këto ndryshime sollën edhe zgjidhjen e ndeshjes.

Në minutën e 55-të, Marco Pasalic asistoi saktë për Budimirin në shtyllën e dytë, i cili shënoi nga afërsia për 1:0. Vetëm dy minuta më vonë, Kroacia kishte mundësinë ta mbyllte ndeshjen, por Martin Baturina dhe më pas Pašalić shpërdoruan një rast të pastër përballë portës së zbrazët.

Panamaja reagoi duke u hedhur në sulm dhe krijoi disa momente të rrezikshme, por sërish u përball me një Livakovic në formë të lartë, i cili ndali dy tentativa të Murillos dhe një goditje me kokë të Harvey.

Deri në fund, Kroacia menaxhoi me kujdes avantazhin minimal dhe siguroi tre pikë shumë të rëndësishme. Me këtë fitore, kroatët mbeten në garë për kalimin në fazën e 16-shes, ndërsa Panamaja humbet pothuajse çdo shpresë për avancim në turne. /Telegrafi/