Krerët e shtetit urojnë Kurban Bajramin
Krerët e shtetit kanë uruar festën e Kurban Bajramit, duke uruar për paqe dhe solidaritet.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova i ka dërguar urim kreut të Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir ef. Fetai, si dhe të gjithë besimtarëve të fesë islame.
“Lejomëni që juve personalisht, anëtarëve të Rijasetit, myftinjve, imamëve dhe të gjithë besimtarëve të fesë islame, t’ju përcjell urime të sinqerta me rastin e festës së madhe Kurban Bajram, me dëshirë që ta kaloni në paqe, gëzim dhe mirëqenie familjare”, thuhet në urimin e presidentes.
“Pikërisht në aftësinë për të ruajtur dhe shprehur dashurinë dhe kujdesin për të afërmin, edhe në momente dallimesh dhe sfidash, njihet dhe matet integrimi i shoqërisë. Vetëm përmes mirëkuptimit, respektit të ndërsjellë dhe kulturës së respektit, dallimet mund të jenë përparësi e jo dobësi, të bëhen urë e jo pengesë, të shndërrohen në unitet, duke i tejkaluar ndarjet. Gëzuar Kurban Bajramin”, thuhet në urimin e presidentes me rastin e Kurban Bajramit.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka uruar me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke uruar mirëqenie, shëndet, paqe shpirtërore dhe lumturi në familje.
Gashi thekson se në ditën e Kurban Bajramit, festës së sakrificës, humanizmit dhe afërsisë mes njerëzve, ripërtërihen vlerat më të larta të solidaritetit, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë.
“Kurban Bajrami është gjithashtu një thirrje për më shumë unitet, paqe dhe harmoni në shoqërinë tonë, duke forcuar bindjen se vetëm së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët. Në emër të Kuvendit dhe në emrin tim personal, ju uroj që kjo festë të sjellë mirëqenie, shëndet, paqe shpirtërore dhe lumturi në familjet tuaja. Gëzuar Kurban Bajramin!”, thuhet në urimin e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke u dëshiruar shëndet, paqe dhe mirëqenie familjeve të tyre. Në mesazhin e tij, Mickoski theksoi se Kurban Bajrami përcjell vlera të solidaritetit, humanizmit dhe respektit të ndërsjellë, duke bërë thirrje për ndërtimin e një shoqërie me më shumë mirëkuptim, unitet dhe respekt.
“Të nderuar qytetarë të besimit islam, me rastin e festës së madhe të Kurban Bajramit ju përcjell urimet më të sinqerta për ju dhe familjet tuaja, me dëshira për shëndet të mirë, paqe, qetësi dhe begati në çdo shtëpi. Kurban Bajrami na kujton vlerat e solidaritetit, humanizmit, respektit të ndërsjellë dhe kujdesit për të afërmit. Në frymën e kësaj feste, le të vazhdojmë së bashku të ndërtojmë një shoqëri të mirëkuptimit, unitetit dhe respektit, ku dallimet janë forca jonë dhe bashkimi e ardhmja jonë. Qofshin ditët e festës të mbushura me gëzim, ngrohtësi dhe shpresë, ndërsa çdo familje me dashuri, paqe dhe begati”, ka shkruar Mickoski.


