Krenarë në geto
Igori është qytetar i Serbisë. I rastisi të udhëtojë nga Beogradi për Amsterdam pikërisht të shtunën e 19 dhjetorit. Të hënën mbrëma po ma shprehte kënaqësinë nëpërmjet MSN-së që pas 20 vjetësh kishte udhëtuar sërish pa vizë drejt Europës. Por, edhe po ma shprehte keqardhjen që kosovarët ende nuk e kishin një mundësi të tillë.
Igori është serb dhe e thotë hapur se i vjen turp që është i tillë. Shqiptarëve, të cilët i takon, iu kërkon falje për krimet që shteti serb i ka kryer në Kosovë, i vetëdijshëm se keqardhja e tij personale nuk mjafton.
Nga Amsterdami, ai më thoshte se pas dy dekadash izolimi e pashprese, më në fund po ndihej mirë që serbëve po iu kthehej dinjiteti i humbur.
Përveç qytetarëve të Serbisë, nga 19 dhjetori pa viza drejt Europës mund të udhëtojnë edhe malazezët dhe maqedonasit, përderisa boshnjakëve dhe shqiptarëve pritet që një gjë e tillë t’iu mundësohet pas gjashtë muajsh. Po kosovarët?
* * *
Përderisa tre shtet fqinje po festonin Europën, Kosova po merrej me të tjera gjëra. Deputetët po përpiqeshin t’i rritin rrogat edhe 50 për qind, kurse kabineti qeveritar po i gëzohej rreth 17 mijë eurove, sa duhej t’iu “piknin” në konto disave nga ministrat dhe vetë kryeministrit. Partitë nuk po merreshin vesh për votat e vjedhura, përderisa po mendohej përsëritja e zgjedhjeve në tri komuna. Punë aspak të dinjitetshme për një vend fukara e me plot probleme të tjera.
Përderisa shampanjat e festës po hapeshin në Shkup, Podgoricë e Beograd, përfaqësues të BE-së po thoshin se liberalizimi i vizave me Kosovën nuk është çështje muajsh, por vitesh. Një shuplakë fytyrës për të gjithë politikanët që pa pikë turpi flasin për BE dhe integrime të shpejta.
Logjika e “patriotëve” thotë se Europa nuk po dashka vetë të na ndihmojë, por logjika e Europës thotë se vizat nuk liberalizohen pa plotësimin e kushteve të nevojshme. E kur kosovarët normalë mendojnë se kush duhet të punojë për kryerjen e detyrave, iu vjen të qajnë.
Iu vjen të thonë se nuk i takojnë këtij vendi, kur shohin se të zgjedhurit e popullit më të rëndësishme e kanë mbushjen e xhepave, se gjithçka tjetër; kur qeveritarët nuk ngopen, edhe pse kanë rroga marramendëse për një vend të varfër dhe kur shpenzohen miliona në makina të reja, telefona e telefonata, dreka e darka, dasma e pikniqe.
Për ata që udhëheqin këtë vend dhe të tjerët që thonë se janë opozitë është fare pak e rëndësishme si jetojnë qytetarët. Punë e madhe se nuk kanë bukë e barna. Punë e madhe se iu duhet të presin me ditë të tëra para ambasadave. Për ta është e rëndësishme t’i mbushin kontot miliona, t’ua sigurojnë të ardhmen djemve, nipave e stërnipave. Ata madje nuk e kanë problem as udhëtimin në Europë. Natyrisht, për këtë marrin edhe mëditje. Nga paratë e qytetarëve të varfër.
* * *
Igori do ta festojë Vitin e Ri në Amsterdam. Në prag të 2010-tës, serbët maqedonasit e malazezët po ndihen europianë. Kurse në Kosovë nga ekranet televizive do të na buzëqeshin politikanët, do të flasin për progresin e arritur e do të premtojnë vit të begatë. Por, assesi nuk do të pranojnë se Kosova ka mbetur kërkah dhe se kosovarët kanë mbetur si në burg.
Madje, do të na bëjnë thirrje të ndihemi krenarë në shtetin më të ri në botë.
Ata që ndihen krenarë që jetojnë në këtë vend, vërtet duhet dekoruar për optimizëm e vetëmohim. Të jetosh në geto e të ndihesh krenar nuk është pak!
(Editorial i gazetës “Profil”)


