Please enter at least 3 characters.

KQZ: Edhe qytetarët që ndodhen përkohësisht jashtë Kosovës mund të votojnë në zgjedhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se qytetarët e Kosovës, të cilët gjatë zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit do të jenë jashtë vendit, do të kenë të drejtë vote nëse regjistrohen brenda afatit të përcaktuar.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i regjistrimit për votuesit jashtë Kosovës ka nisur më 6 maj dhe do të zgjasë deri më 17 maj 2026.

Sipas tij, kjo mundësi nuk vlen vetëm për qytetarët që jetojnë në diasporë, por edhe për ata që ndodhen përkohësisht jashtë vendit në ditën e zgjedhjeve.

Elezi ka sqaruar se regjistrimi bëhet përmes procedurës së njëjtë që zbatohet edhe për votuesit nga diaspora, të cilët mund të votojnë përmes postës ose në përfaqësitë diplomatike.

Ai ka theksuar se aplikuesit duhet të dorëzojnë dokumente që dëshmojnë vendqëndrimin e tyre të përkohshëm jashtë Kosovës. Këto mund të jenë adresa e personit ku qëndrojnë, rezervime hoteli, dëshmi akomodimi në konvikt apo dokumente të tjera të ngjashme.

KQZ-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që të përfundojnë regjistrimin brenda afatit të paraparë për të siguruar pjesëmarrjen në procesin zgjedhor të 7 qershorit.

“Procedura e regjistrimit të tyre është e njëjtë, si ajo e shtetasve të Kosoës që jetojnë jashtë vendit. Vetëm në rubrikën ku kërkohen dokumentet e nevojshme për regjistrim, aplikuesi duhet të bashkangjes dokumentin që dëshmon adresën e personit, tek i cili qëndron përkohësisht, ose dëshmi tjetër banimi për rastet specifike, si rezervim hoteli, konvikti, etj”, tha Elezi.