Please enter at least 3 characters.

Kostoja prej 70 mijë eurosh për disa pacientë italianë në Zvicër, reagon ashpër Meloni

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka kritikuar ashpër sot një spital zviceran rreth përpjekjeve për t’u ngarkuar me kosto familjeve të disa prej viktimave të një zjarri shkatërrues që shpërtheu natën e Vitit të Ri në një bar në resortin alpin të skive Crans-Montana.

Në këtë katastrofë humbën jetën 41 persona, kryesisht adoleshentë, ndërsa 115 të tjerë u plagosën.

“Kam folur me ambasadorin tonë. Autoritetet zvicerane na kanë siguruar se bëhet fjalë për një gabim dhe se familjet nuk do të duhet të paguajnë asgjë”, ka shkruar Meloni në platformën X.

“Megjithatë, i kam kërkuar ambasadorit që ta ndjekë këtë çështje me vëmendjen më të madhe, sepse do të ishte e neveritshme që këto kosto të bien mbi viktimat ose mbi Italinë”, shtoi ajo.

Meloni gjithashtu tha se një spital në Sion ka kërkuar 70 mijë euro për pacientët që janë trajtuar vetëm për disa orë, gjë që ajo e quajti “një fyerje mbi dhimbjen e shkaktuar”.

Zjarri shpërtheu në orët e hershme të mëngjesit të 1 janarit në barin Le Constellation, në këtë resort luksoz, ndërsa mysafirët po festonin ardhjen e Vitit të Ri. Për shkak të tragjedisë është hapur një hetim penal ndaj nëntë personave.

Mes të dyshuarve janë edhe pronarët francezë të barit, bashkëshortët Jacques dhe Jessica Moretti, të cilët përballen me akuza për vrasje nga pakujdesia, shkaktim të lëndimeve trupore nga pakujdesia dhe shkaktim të zjarrit nga pakujdesia.

Prokurorët dhe avokatët e palëve të dëmtuara tashmë i kanë marrë në pyetje dy herë në mënyrë të detajuar. /Telegrafi/