Kosovës i mungojnë Azemi e Bunjaku, por i shtohet supertalenti Rashica
Kokëçarje për shtabin teknik të Përfaqësueses së Kosovës. Mungesës së Ilir Azemit, Eroll Fejzullahut dhe Julian Biblekajt i shtohet edhe sulmuesi i St. Gallenit, Albert Bunjaku. Ndihmëstrajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti ka konfirmuar të martën mosardhjen e ish-anëtarit të Përfaqësueses së Zvicrës për shkak të një dëmtimi.
“Alberti nuk do të vjen për shkak se ka rekomandimin e mjekut për të pushuar. Ka një lëndim që i duhet të pushojë. Është një mungesë e madhe për neve”, theksoi Sahiti.
Dyshja e sulmit
Në mungesë të sulmuesve kryesorë, Azemi e Bunjaku, Kosova pritet ta sulmojë Omanin me Shpëtim Hasanin në formë dhe Dardan Rexhepin.
“Ne kemi qenë të përgatitur edhe për mungesa të momentit të fundit. Fatmirësisht, konkurrenca në ekip është e madhe dhe loja jonë nuk bazohet në individë, por është kolektive. Në sulm kemi opsione, pasi aty janë Shpëtim Hasani, Dardan Rexhepi dhe të tjerë”, shtoi Sahiti.
Ndryshe, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që deri të enjten të ketë ndonjë ftesë befasuese edhe pse sipas tij, shtabi teknik nuk ka dashur të zgjerohet shumë, duke ua dhënë mundësinë pothuajse të gjitha lojtarëve që do t’i ftojë. Përzgjedhësi Bunjaki do të ketë të drejtën e gjashtë zëvendësimeve.
Përveç Kushtrim Mushicës, një tjetër i ftuar nga Superliga për ndeshjen miqësore ndaj Omanit do të jetë edhe mesfushori i Llamkos Kosovës, Milot Rashica. Muharrem Sahiti ka thënë se ftesa i është dërguar lojtarit. /SportPlus/Telegrafi/


