Kosova, vendi ku gratë jetojnë për të ardhmen
“Fuqizimi i grave dhe pjesëmarrja e plotë e tyre mbi bazën e barazisë në të gjitha sferat e shoqërisë, duke përfshirë pjesëmarrjen në vendimmarrje dhe qasjen në pushtet, janë themelore për arritjen e barazisë, zhvillimit dhe paqes” - Deklarata e Pekinit dhe platforma e saj për veprim (1995)
Sot është 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, një ditë kjo më shumë sesa vetëm simbolike. Kjo nuk është dita e nënës, siç njihet më shumë në vendin tonë, por ditë e të gjitha grave, të cilat në vend të festimit të kësaj dite duhet të avokojnë për arritjen e barazisë gjinore dhe të drejtave dhe mundësive të barabarta. Kjo ditë na bënë të mendojmë se çfarë kemi bërë deri sot për gratë dhe a e kanë ato vendin që u takon në shoqërinë kosovare.
U bë më shumë se një shekull qëkur gratë kërkuan të drejtat e tyre dhe hodhën votën e parë politike. Por, edhe e sotmja ato i gjen duke luftuar për liri dhe barazi. Është bërë e tepërt të dëgjosh politikanët, para zgjedhjeve, duke thënë se ata e dinë se ç’është më e mira për gratë. Kjo nuk është e vërtetë: janë vetë gratë ato që e dinë se ç’është më e mira për to. Mirëpo, në mënyrë që ato të luftojnë për vete dhe të jenë edhe zëri i shumë grave të tjera të pafuqishme, duhet të jenë pjesë e procesit të vendimmarrjes, e jo vetëm numër sa për të plotësuar kuotat gjinore, e edhe burim i ndryshimeve.
Gratë janë shtylla kryesore, jo vetëm e familjes, por edhe e shoqërisë. Është detyra e të gjithë neve ta respektojmë dhe ta njohim kontributin e tyre të rëndësishëm për përparimet në jetën politike, ekonomike e sociale. Historia e luftës së grave për barazi nuk i takon vetëm feministeve apo një organizate, por përpjekjeve kolektive të të gjithëve që respektojnë të drejtat e njeriut.
Fatkeqësisht, Kosova edhe pse ka një infrastrukturë të mirë ligjore për garantimin e barazisë gjinore, duke përfshirë sistemin e kuotave dhe një mori instrumentesh dhe mekanizmash vendorë dhe ndërkombëtarë për fuqizimin e grave dhe përfshirjen e tyre në vendimmarrje, gratë ende janë të nënvlerësuara dhe përballen me pengesa të ndryshme sa i përket realizimit të qëndrueshëm të të drejtave të tyre për përfshirje njëjtë sikurse gjinia tjetër. Ato duhet të jenë të përfshira më shumë në pozicione drejtuese në institucione, jo vetëm për faktin se përbejnë më shumë se gjysmën e popullsisë në Kosovë, por sepse kanë potenciale të mëdha të cilat janë të dobishme, sidomos në gjendjen aktuale.
Në nëntorin e vitit të kaluar isha në një konferencë për të drejtat e grave në një shtet të Lindjes së Mesme. Pasi përfunduan punimet e saj, dola për ta vizituar qytetin dhe të për të blerë ndonjë gjë simbolike. Njerëzit ishin shumë miqësorë, mirëpo ajo çka më bëri përshtypje ishte se nuk e pashë asnjë grua apo vajzë të vetme që punonte në ndonjërin nga dyqanet e vizituara. Meqë personi që punonte në njërin nga dyqanet më pyeti prej nga vija dhe cili ishte qëllimi i ardhjes sime në qytetin e tij, nuk u durova më shumë dhe e pyeta: “Si është e mundur që në asnjërin nga dyqanet nuk ka punonjëse gra? Pse nuk punon gruaja juaj këtu”? Ai u përgjigj: “Ne e ruajmë gruan në shtëpi, sikur një diamant”. Më tutje shtoi se në dyqanin e tij hyjnë edhe burra dhe se nuk do të donte që ta shihnin gruan e tij. Pyetja ime e menjëhershme ishte: “Po mirë, edhe unë jam vajzë dhe jam në dyqanin tënd, pse të lejohet ty të më shohësh mua dhe gra të tjera që vijnë këtu, kurse asaj jo? Pse burrat duhet, patjetër, të jenë më të privilegjuar se gratë dhe të kenë të drejta?! Pse për ta është normale çdo gjë, ndërsa për gratë e ndaluar”?!
Por, më pas, kjo situatë, më shtyri të reflektoja, se sa shumë ka edhe në Kosovë njerëz të tillë që e ruajnë gruan si “diamant” në shtëpi, duke e privuar të shkollohet, të punojë dhe të veprojë, ashtu si ajo mendon që është më së miri për veten e saj. Ajo privohet të zgjedhë vetë drejtimin dhe fatin.
Në Kosovë ka ende gra që janë të privuara nga të drejtat më themelore. Duke qenë e varur ekonomikisht, shumicën e rasteve pa të drejtë në trashëgimi, edhe pse e garantuar me ligjet në fuqi, ajo shpesh detyrohet ta durojë dhunën dhe keqtrajtimin që përbëjnë shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut. Këto shkelje nuk njohin kufij kontinentalë, gjeografikë apo kulturorë.
Përveç çështjeve të shtruara më lart, është edhe tema e dhunimeve të grave dhe vajzave gjatë luftës në Kosovë, e cila është ende tabu. Numri i saktë i viktimave të dhunimeve është e pamundur të dihet, por konsiderohet që ky numër të jetë rreth 10.000. Deri më sot askush nuk është dënuar për këto krime. Nevoja për mbështetje adekuate psikologjike, morale e financiare për të mbijetuarat e dhunës është e domosdoshme. Mirëpo, këto gra janë të harruara, askush nuk kujdeset për to, e vet janë të pafuqishme, shpesh edhe pa mbështetjen e familjes. Në vitin 2011 hyri në fuqi Ligji për statusin dhe të drejtat e martireve, invalidëve, veteraneve, anëtareve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre, megjithatë, ai përjashtoi përfshirjen e grave të mbijetuara nga dhunimet gjatë konfliktit dhe si pasojë ato nuk kanë përfitime nga shteti sikurse viktimat e tjera civile.
Këto diskriminime ndaj grave dhe privimi i tyre nga dhënia e mundësive të barabarta, bënë që ato të shpresojnë që në një të ardhme, ndoshta, do ta jetojnë një jetë më të mirë, sepse e sotmja atyre u ofron shumë pak.
Ajo që bëhet sot për gruan në Kosovë nuk është e mjaftueshme. Nuk është e mjaftueshme as për avancimin në rrugën integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian: nuk është e mjaftueshme as për anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara; as për një imazh më të mirë për sytë e bashkësisë ndërkombëtare... Madje, çka është më e rëndësishmja: nuk është e mjaftueshme as për një demokraci të mirëfilltë të brendshme.
Kosova është vendi ku gratë jetojnë për të ardhmen, sepse për të tashmen nuk kanë të drejtë. Megjithatë, ky vend ka gra të forta, të edukuara dhe me vullnet që të luftojnë për ta bërë ndryshimin në këtë shoqëri. Ato kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë burim inspirimi për të gjithë në kohë të mira dhe të këqija. Ato do të punojnë të gjitha së bashku që të sigurojnë një të ardhme të ndritur për të gjitha gratë, shumë më ndryshe nga e sotmja. Do të vazhdojnë të luftojnë për respekt, nder, barazi dhe kundër dhunës dhe diskriminimit, deri në momentin që kur flitet për barazi gjinore, nuk do të mendohet automatikisht për të drejtat e grave si kategori e cenueshme, por për barazinë dhe të drejtat e të dy gjinive!


