Kosova humbi një vit në bllokadë, analistët në “Përballje Podcast” tregojnë se çka duhet të sjellin zgjedhjet e reja
Në episodin e radhës të “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, analistët politikë Besa Luzha dhe Melazim Koci vlerësuan se Kosova ka kaluar një vit të humbur në plan politik e institucional, me pasoja për ekonominë, imazhin ndërkombëtar dhe raportet me aleatët kryesorë.
Ata paralajmëruan se zgjedhjet e reja nuk mjaftojnë vetëm të mbahen, nëse nuk shoqërohen me kompromis, ulje tensionesh dhe ndryshim të gjuhës politike.
Duke folur për bllokadën institucionale, Besa Luzha e përshkroi këtë periudhë si dështim të klasës politike për të ndërtuar marrëveshje minimale për funksionimin e institucioneve.
“Kemi një vit të humbur pothuajse, prej shkurtit, prej nëntë shkurtit. Do të rrimë, sigurisht, deri te nëntë shkurti tjetër, deri sa të vjen formimi i institucioneve të reja,” tha ajo, në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, duke shtuar se partitë i kanë dhënë prioritet garës për vota dhe ripozicionimit para zgjedhjeve lokale që ishin, në vend se zgjidhjes së krizës.
Sipas saj, në një situatë normale “ajo çka është esenciale në demokraci, kompromisi edhe marrëveshja do të sillnin institucionet, qoftë edhe të përkohshme”, përfshirë edhe mundësinë e një qeverie teknike, siç ishte propozuar gjatë vitit.
Luzha kritikoi mungesën e vullnetit politik për kompromis.
“Partitë nuk jepnin as përpjekjen më të vogël për ta zgjidhë situatën, ndërsa polarizimi dhe përçarja janë thelluar dhe do të reflektohen edhe pas zgjedhjeve të reja, ku sërish do të ketë nevojë për koalicione”, ka shtuar ajo.
Ndërsa, Melazim Koci, duke analizuar epilogun e dështimit për formimin e qeverisë, theksoi tre faktorë kryesorë që sipas tij e bënë të pamundur arritjen e shumicës pas zgjedhjeve të muajit shkurt.
Ai kujton përjashtimin e votave të Listës Serbe për shkak të zhvillimeve në veri, por shton se ky nuk ishte faktori i vetëm. I dyti lidhet me tema tjera por edhe me zgjedhjen e presidentes/presidentit.
“Secili ka kalkulu përse ta marr pataten e nxehtë në dorë nëse pas nëntë muajve dhe të humbi, të humbas të rrezikoj, meqë kërkesa e parë e ndërkombëtarëve do të ishte dërgimi i draftit në Gjykatën Kushtetuese një hap me kosto të lartë elektorale për cilëndo parti që do ta mbante Qeverinë”, ka deklaruar ai.
Si faktor të tretë, Koci e konsideroi mungesën e vullnetit për bashkëqeverisje nga ana e kryeministrit në detyrë.
“Mendoj që zoti Kurti nuk ka dashur bashkëqeverisje, ka dashur ose Qeveritë e Vetëvendosjes me pakicat jo-serbe, ose shkojnë në opozitë”, ka deklaruar ai.
Të dy analistët theksuan se gjithë kjo periudhë është shndërruar në një fushatë të zgjatur.
“Në këta tetë muaj, nëntë muaj ne praktikisht kemi, kjo ka qenë fusha zgjedhore praktikisht,” tha Koci, duke vlerësuar se debati në Kuvend është përdorur vetëm për të fajësuar palën tjetër para opinionit.
Në pjesën e dytë të bisedës, vëmendja u zhvendos te zgjedhjet e ardhshme dhe çfarë mund të sjellin ato.
Për Melazim Kocin, zgjedhjet mund të hapin rrugën e zgjidhjes, por edhe të rrezikut.
“Mendoj se gjasat janë më të mëdha që pas këtyre zgjedhjeve të ketë zgjidhje, sepse thjesht edhe subjektet politike do ta kuptojnë që në të kundërtën e dërgojnë Kosovën në humnerë,” tha ai, duke kujtuar se brenda një viti vendi ka shkuar drejt katër palë zgjedhjeve (të përgjithshme dhe lokale).
Ai e pa si sinjal pozitiv deklarimin e Bedri Hamzës se PDK “nuk do të ketë vija të kuqe”, por paralajmëroi se pas zgjedhjeve nuk do të mjaftojnë më 61 vota.
“Tani pas këtyre zgjedhjeve nuk duhen gjashtëdhjetë e një vota, por duhen tetëdhjetë, sepse në pako do të jetë edhe zgjedhja e presidentes”, ka shtuar ai.
Sipas Kocit, kjo e bën edhe më të domosdoshëm kompromisin dhe koalicionet, edhe kur mund të duken “të panatyrshme”, për shkak të ndarjes së posteve kryesore shtetërore.
Thirrje për ulje tensionesh, heqje të gjuhës së urrejtjes dhe kthim te bashkëpunimi
Të dy analistët u ndalën gjatë te gjuha politike dhe tensionet mes subjekteve, duke e parë këtë si sfidë të rrezikshme edhe për sigurinë, edhe për demokracinë.
Koci tha se është bë imperativ në këtë moment që Kosova, që subjektet politike t’i ulin tensionit duke paralajmëruar se vendi është “në tehun e luftës hibride të Serbisë”, ku rrjetet sociale dhe dezinformimi mund të shfrytëzohen lehtësisht në një atmosferë akuzash si “agjentë serbë” apo “njerëzit e Serbisë”.
Luzha, nga ana tjetër, theksoi se vlerat mbi të cilat duhet të ndërtohet politika janë të kundërta me këtë klimë.
“Parime, vlera janë, bashkëpunimi, dashamirësia, komunikimi, mirësjellja, vlerat. Ato janë domethënë të mira, jo bërtitma, urrejtja, nxitja e përçarja. Nuk i sjellin dobi askujt”, u shpreh ajo.
Në mesazhin e fundit, ajo apeloi që pas këtij “epilogu të vitit” të kërkohet një rrugë tjetër, të vendosen në tavolinë temat që bashkojnë dhe jo ato që thellojnë ndarjet.
Luzha kërkoi që bashkimi dhe bashkëpunimi të mos anatemohet më, por të shihet si domosdoshmëri. /Telegrafi/


