Koreografi, ndalet loja në minutën e 13 dhe në lot i gjithë stadiumi: Gjithçka e bukur dhe emocionuese në kujtim të kapitenit Astori (Foto/Video)
Fiorentina ka përkujtuar si është më së miri kapitenin e tyre tashmë të ndjerë, Davide Astorin.
Mbrojtësi italian ndërroi jetë të dielën e kaluar në hotelin e skuadrës para ndeshjes kampionale ndaj Udineses.
Vdekja e tij e papritur në gjumë shokoi skuadrën e Fiorentinës, futbollin italian dhe gjithë sportdashësin në botë.
Megjithatë, skuadra italiane, Fiorentina, e ka bërë të ndihet krenar ish-kapitenin e tyre me organizimin në kujtim të tij para ndeshjes me Beneventon.
Kjo nuk ishte një ndeshje e zakonshme, pasi Viola u kthye në fushë për herë të parë që kur kapiteni Astori vdiq në gjumë një javë më parë.
Funerali u mbajt të enjten dhe kishte skena më të thella emocionale pasi tifozët përshëndetën mbrojtësin 31-vjeçar në një minutë heshtje shurdhuese përpara se balonat e purpurta dhe të bardha të liroheshin në qiell.
Tifozët gjithashtu kishin mbushur tribunën me emrin dhe numrin e tij, ndërsa edhe shumë banderola tjera nuk mungonin.
Njëra shënonte: 'Ka njerëz që nuk vdesin kurrë ... Ka histori që kalohen përmes përjetësisë ... Udhëtim i mirë, kapiten'.
Një banderolë tjetër shënonte: "Faleminderit kapiten, një tjetër 'Tung kapiten' dhe disa tjerët 'Pusho në paqe'.
Në këtë ndeshje në kujtim të Astorit gjithçka ishte perfekte, ku para ndeshjes gjithë futbollistët e Violas dolën me fanellat me numër 13, ashtu sikurse ishin edhe fëmijët përcjellës.
Në minutën 13-të për të shënuar numrin e fanellës së Astorit, loja u ndal dhe tifozët shfaqën një vepër gjigante të artit me një mesazh: 'Davide 13'.
Futbollistët e klubit italian, trajneri dhe shumë tifozët nuk mundën t'i ndalnin lotët, pasi ish-kapiteni i tyre ishte i dashur për të gjithë.
Kapaku i gjithë këtij organizimi perfekt dhe emocional ishte gol i shënuar pikërisht nga zëvendësuesi i Astorit, Vitor Hugo, i cili golin dhe festën ia dedikoi ish-shokut të tij.
Pjesa e parë e takimit ndaj Beneventos përfundoi me rezultat minimal 1-0 në të mirë të Violas. /Telegrafi/


