Koreja e Jugut shpik dyqanet online “të rreme” që i ndihmojnë të varurit nga blerjet të kursejnë para
Të rinjtë në Korenë e Jugut po përdorin gjithnjë e më shumë të ashtuquajturat “faqe dopamine”, platforma që imitojnë në mënyrë të përkryer përvojën e blerjeve online pa kërkuar asnjë shpenzim real.
Këto faqe funksionojnë si dyqane të vërteta elektronike: ofrojnë qindra produkte, komente, vlerësime, filtra kërkimi dhe oferta promocionale.
Përdoruesit mund të shtojnë produkte në shportë, të plotësojnë adresën e dorëzimit dhe madje të kryejnë porosinë.
Pas porosisë, aplikacioni simulon të gjithë procesin e dërgesës. Shfaqet një korrier virtual që “merr” porosinë dhe përdoruesi mund të ndjekë lëvizjen e tij në hartë në kohë reale. Në fund, asgjë nuk dorëzohet dhe asnjë para nuk tërhiqet nga llogaria bankare.
Shumë përdorues të rinj thonë se kjo përvojë u jep të njëjtën ndjesi emocionuese dhe pritjeje si një blerje e vërtetë, duke i ndihmuar të përballojnë tundimin për të shpenzuar para në një kohë kur kostoja e jetesës është e lartë.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se këto platforma mund të kenë edhe anë negative. Edhe pse ndihmojnë në kursimin e parave, ato mund të forcojnë të njëjtat modele sjelljeje që e bëjnë blerjen online një zakon të varësisë.
Për momentin, fenomeni është përhapur kryesisht në Korenë e Jugut, ndërsa reagimet në rrjetet sociale tregojnë se përdoruesit në vendet perëndimore mbeten skeptikë ndaj idesë së “blerjeve pa blerë”. /Telegrafi/


