Please enter at least 3 characters.

Kontrollet për mbipeshë të mjeteve të rënda vazhdojnë, në korrik u shqiptuan 118 gjoba

Ekipet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po vazhdojnë kontrollet dhe matjet e peshës së mjeteve të rënda në terren.

Sipas Ministrisë, kontrollet kanë për qëllim identifikimin dhe parandalimin e rasteve kur mjetet tejkalojnë kufizimet e lejuara të peshës.

Vetëm gjatë muajit korrik 2026, janë shqiptuar 118 gjoba, me vlerë totale prej 68 mijë e 740 eurosh.

Nga kjo shumë, 3 mijë e 900 euro janë gjoba ndaj personave fizikë, ndërsa 64 mijë e 840 euro ndaj personave juridikë, përkatësisht kompanive.

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka falënderuar Policinë e Kosovës për bashkëpunimin në realizimin e kontrolleve, ndërsa u ka bërë thirrje pronarëve të mjeteve dhe kompanive transportuese që të respektojnë kufizimet e lejuara të peshës.

Sipas Ministrisë, respektimi i këtyre rregullave kontribuon në mbrojtjen e investimeve në infrastrukturën rrugore, parandalimin e dëmtimit të rrugëve dhe rritjen e sigurisë në trafik. /Telegrafi/