Kontestohet ligjshmëria e sulmeve të SHBA-së në Karaibe - Britania pezullon ndarjen e informacioneve të inteligjencës
Mbretëria e Bashkuar nuk po ndan më inteligjencë me SHBA-në për anijet që dyshohen për trafik droge në Karaibe, sepse nuk dëshiron të jetë bashkëfajtore në sulmet ushtarake amerikane dhe beson se këto sulme janë të paligjshme, thanë burime për CNN. Vendimi i Londrës shënon një ndërprerje të rëndësishme me aleatin e saj më të ngushtë dhe thekson skepticizmin mbi ligjshmërinë e fushatës ushtarake amerikane në Amerikën Latine.
Për vite me radhë, Britania ka ndihmuar SHBA-në të lokalizojë anijet që transportojnë drogë, në mënyrë që Garda Bregdetare të mund t’i ndalojë, të arrestojë ekuipazhin dhe të sekuestronte drogën. Inteligjenca dërgohej zakonisht te Task Forca e Përbashkët Ndërinstitucionale Jugore në Florida, e cila përfshin përfaqësues nga disa vende partnere dhe punon për të reduktuar trafikun e paligjshëm të drogës.
Por, pak pasi SHBA filloi sulmet vdekjeprurëse në muajin shtator, Britania u shqetësua se inteligjenca e saj mund të përdorej për të zgjedhur objektivat. Zyrtarët britanikë besojnë se sulmet amerikane, që kanë shkaktuar vdekjen e 76 personave, shkelin ligjin ndërkombëtar. Pushimi i ndarjes së inteligjencës ka filluar më shumë se një muaj më parë.
Kreu i të drejtave të njeriut të OKB-së, Volker Türk, ka thënë se sulmet përbëjnë “vrasje jashtëgjyqësore.” Britania pajtohet me këtë vlerësim. Ambasada britanike në Uashington, Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë nuk kanë komentuar.
Para sulmeve, luftimi i trafikut të drogës bëhej nga autoritetet ligjore dhe Garda Bregdetare, me trafikantët trajtuar si kriminelë me të drejta të plota - një proces që Britania ndihmonte të zbatonte. Por administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka argumentuar se ushtria mund të vrasë ligjërisht trafikantët e dyshuar, duke i konsideruar ata “luftëtarë armik” në një “konflikt të armatosur” me SHBA.
Ekspertët ligjorë vënë në dukje se Ligji i Konfliktit të Armatosur zbatohet edhe për trafikantët civilë, dhe shpallja e një grupi si organizatë terroriste nuk autorizon automatikisht përdorimin e forcës vdekjeprurëse. Disa anije që u sulmuan kanë qenë të palëvizshme ose po ktheheshin, duke sfiduar pretendimin se ato paraqisnin një kërcënim të menjëhershëm.
Zyrtarë të lartë të mbrojtjes së SHBA-së kanë shprehur skepticizëm mbi fushatën. Komandanti i Komandës Jugore, admiral Alvin Holsey, ofroi dorëheqjen pas shqetësimeve për ligjshmërinë e sulmeve, dhe avokatë të Departamentit të Mbrojtjes kanë ngritur gjithashtu dyshime ligjore.
Kanada, aleati tjetër i rëndësishëm i SHBA-së, ka ndihmuar për të ndaluar trafikantët e drogës në Karaibe për dekada, por gjithashtu është distancuar nga sulmet ushtarake amerikane. Kanadaja ka bërë të qartë se nuk dëshiron që inteligjenca e saj të përdoret për sulme vdekjeprurëse, duke theksuar se aktivitetet e saj nën Operacionin Karaibe janë të veçanta dhe të ndara nga aksionet amerikane. /Telegrafi/


