Please enter at least 3 characters.

Konjufca priti Ambasadorin e Shqipërisë, fokus në bashkëpunim strategjik

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti në takim Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

Takimi u zhvillua në frymën e marrëdhënieve të veçanta ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke u përqendruar në interesin strategjik kombëtar të përbashkët.

Gjatë bisedimeve u diskutua për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjen e koordinimit në politikën e jashtme, si dhe përcaktimin e qëndrimeve të përbashkëta në arenën ndërkombëtare, në funksion të interesave të përbashkëta.

Ambasadori Malaj e ftoi Zëvendëskryeministrin Konjufca të marrë pjesë në Samitin e Diasporës, një ngjarje vjetore e organizuar nga Shqipëria, e cila funksionon si platformë për të forcuar lidhjet me diasporën dhe për të konsoliduar veprimin e përbashkët në përmbushjen e qëllimeve kombëtare.

Republika e Kosovës vlerëson si prioritet të vazhdueshëm thellimin e bashkëpunimit me Shqipërinë për avancimin e interesave të përbashkëta./Telegrafi/