Please enter at least 3 characters.

Konjufca pas takimit me Ferit Hoxhën: Shqipëria në BE, shtysë për Kosovën


Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka mbajtur konferencë për media pas takimit me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, duke vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe bashkëpunimin në politikën e jashtme.

Konjufca tha se takimi ka qenë miqësor dhe vëllazëror, duke theksuar komunikimin e vazhdueshëm mes dy shteteve për objektiva të përbashkëta.

“Takimet tona gjithmonë janë vëllazërore”, u shpreh ai.

Ai theksoi se koordinimi i politikës së jashtme mes Kosovës dhe Shqipërisë është i natyrshëm, pasi të dy shtetet, sipas tij, përfaqësojnë interesat e një kombi të vetëm.

“Me shtetin shqiptar kemi komunikim të vazhdueshëm lidhur me objektivat tona shtetërore dhe kombëtare. Koordinimi i politikës së jashtme mes Kosovës dhe Shqipërisë është gjëja më e lehtë, sepse ne përfaqësojmë interesat e të njëjtit komb”, shtoi ai.

Konjufca vlerësoi gjithashtu përparimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar atë si një arritje të rëndësishme.

“E përgëzoj ministrin Hoxha për të arriturat e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së. Kjo është një arritje shumë e madhe”, tha ai.

Ai shprehu besimin se Shqipëria mund të bëhet anëtare e BE-së në vitet e ardhshme.

“Jemi besimplotë që Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së brenda 2–3 viteve”, deklaroi Konjufca.

Sipas tij, anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të ishte një shtysë edhe për Kosovën në procesin e saj eurointegrues.

“Në kohë të paqëndrueshmërive globale, koordinimi mes shteteve tona është domosdoshmëri jetike”, tha ai.

Konjufca përmendi edhe sigurinë rajonale dhe rolin e vendeve të Ballkanit në stabilitetin e rajonit, duke theksuar rëndësinë e afrimit me NATO-n.

“Ne duhet ta provojmë rolin tonë si faktor i stabilitetit në rajon. Në këtë drejtim i kërkova mbështetjen e Shqipërisë për aspiratën tonë për një afrim dhe anëtarësim më të përshpejtuar në NATO”, u shpreh ai.

Në fund, ai theksoi nevojën për mbështetje të ndërsjellë në proceset integruese evropiane dhe euroatlantike të dy vendeve. /Telegrafi/