Kongresi i ELDR-it aprovoi një rezolutë për Kosovën
Në tekstin e kësaj rezolute, e cila bazohet në legjitimitetin e shpalljes dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës, të bazuar në vullnetin e popullit të Kosovës dhe planin e nobelistit të paqes, Martti Ahtisaari, kërkohet vendosja e misionit të EULEX-it në tërë territorin e Republikës së Kosovës si dhe vazhdimi i procesit të njohjes së pavarësisë nga vendet, të cilat ende s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Njëkohësisht Kongresi i ELDR-it, në të cilin morën pjesë kryeministra, ministra, liderë dhe mbi 600 delegatë të mbi 50 partive liberal demokratike evropiane, nga afër 40 shtete të Evropës, duke përfshirë edhe Kosovën, i dha mbështetje të plotë rezolutës për Kosovën, përmes së cilës kërkohet fillimi i debatit brenda Bashkimit Evropian për çështjen e liberalizimit të vizave dhe heqjes së tyre për qytetarët e Kosovës, fillimin e debatit mbi perspektivën Evropiane dhe integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, hartimin e një strategjie të përbashkët të BE-së për zhvillimin ekonomik dhe investimet në Kosovë, duke përfshirë edhe mundësinë e punësimit stinor të studentëve, të rinjve dhe punëkërkuesve nga Kosova në tregun e punës në vendet e Bashkimit Evropian, thuhet mes tjerash në Rezolutën për Kosovën, të aprovuar nga Kongresi i ELDR-i,t i cili zhvilloi punimet në Stokholm të Suedisë.
Me rastin e qëndrimit në Stokholm, zëvendësministri Dedaj pati takime të shumta me autoritetet më të larta të ELDR-it dhe në vazhdim të kësaj vizite do të takohet me autoritetet dhe zyrtarë të lartë shtetëror suedez, të cilët merren me sferën e punës, punësimit dhe çështjeve sociale. /Telegrafi/


