Komuna paguan për punët që s’janë kryer
Raporti i Zyrës Kombëtare të Audtimit për pasqyrat financiare të Komunës së Skenderajt në vitin 2016 zbulon disa shkelje, të cilat janë evidencuar dhe për të cilat Auditori ka dhënë rekomandime që duhen zbatuar.
Duke u bazuar në raportin e Zyrës Kombëtare të Audtimit për Komunën e Skenderajt, Auditori ka vërejtur se gjatë testimit të kontratave për shfrytëzimin e pronës publike në 5 raste kontratat janë dhënë pa ankand publik dhe kohëzgjatja e tyre është në afat të pacaktuar, në kundërshtim me Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës Publike, me të cilin përcaktohet se afati kohor për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme të Komunës është 1 deri në 15 vjet dhe duhet të bëhet përmes ankandit publik, shkruan "Zëri".
Te procedura e prokurimit “Transporti i nxënësve me nevoja të veçanta prej shtëpisë deri në shkollë dhe anasjelltas”, në njoftimin për kontratë ishte paraparë që siguria e ekzekutimit të aplikohet 10 për qind e vlerës së kontratës, ndërsa në dosje të tenderit dhe me rastin e nënshkrimit të kontratës me operatorin ekonomik nuk ishte aplikuar.
Sipas Auditorit, me Ligjin e Prokurimit Publik kërkesat e përcaktuara në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë duhet të jenë identike. Pagesa në vlerë 773 euro ishte bërë për “Sigurimin e llojit TPL” për një autobus të Komunës.
Ky lloj i sigurimit nuk ishte i përfshirë në kontratën, të cilën e ka Komuna me operatorin ekonomik. /Telegrafi/


